Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook se ministri Arben Vitia ka marrë pjesë në hapjen e konferencës për anesteziologji dhe mjekim intensiv, si dhe të Modulit VI të programit CEEA, kushtuar fushave specifike të mjekësisë perioperative.
Sipas njoftimit, në fjalën e tij Vitia vlerësoi rolin e anesteziologëve dhe intensivistëve në sigurinë e pacientëve, vazhdimësinë e operacioneve, trajtimin e rasteve urgjente dhe kujdesin intensiv.
Ministri tha se, falë angazhimeve për fuqizimin e kuadrit profesional, anesteziologjia nuk konsiderohet më një lëmi deficitare në sistemin shëndetësor. Sipas tij, në sistemin publik janë punësuar 21 specialistë të rinj, ndërsa 41 specializantë janë aktualisht në proces të shkollimit në anesteziologji dhe mjekim intensiv. Shtatë specializantë të tjerë pritet ta fillojnë këtë program gjatë këtij viti.
Vitia foli edhe për investimet në infrastrukturën shëndetësore, duke theksuar se në objektin e ri të Emergjencës një kat i tërë do t’i dedikohet Mjekimit Qendror Intensiv, me gjithsej 40 shtretër të planifikuar.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional, mentorimit të specializantëve dhe shkëmbimit të përvojave, ndërsa falënderoi Shoqatën e Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, ligjëruesit dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në zhvillimin profesional dhe kujdesin ndaj pacientëve.














