Ashtu siç i mësoni fëmijët të hanë perimet ose të përdorin krem kundër diellit, edhe krijimi i një rutine të rregullt para gjumit është një zakon që do t’u shërbejë atyre për një kohë të gjatë.
Një rutinë e qëndrueshme para gjumit i sinjalizon trurit dhe trupit të fëmijës se ka ardhur koha për t’u qetësuar. Kjo mund ta ndihmojë të bjerë më lehtë në gjumë, të flejë më mirë gjatë natës dhe të zgjohet i çlodhur.
Gjumi i mirë i sjell përfitime fëmijës gjatë gjithë vitit. Por nëse ai po përgatitet për një ndryshim, siç është fillimi i një viti të ri shkollor, gjumi i mjaftueshëm mund të bëjë një ndryshim të madh.
Brian Chen, MD, specialist i gjumit te fëmijët, Cleveland Clinic shpjegon pse rutina para gjumit është e rëndësishme dhe si mund të krijoni një rutinë që fëmija do ta ndjekë.
Pse është e rëndësishme rutina para gjumit?
Një tru i privuar nga gjumi e ka më të vështirë të funksionojë siç duhet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, të cilët kanë nevojë për gjumë të mjaftueshëm për t’u zhvilluar fizikisht dhe emocionalisht. Ata kanë nevojë për gjumë të mjaftueshëm edhe për të qenë të vëmendshëm në shkollë dhe për të ruajtur energjinë gjatë ditës.
“Gjumi i mirë ndihmon që fëmija të flejë mjaftueshëm për të mbështetur shëndetin fizik, mirëqenien emocionale dhe aftësinë për të mësuar”, thekson Dr. Chen. “Gjëja më e mirë që mund të bëni për ta ndihmuar fëmijën të zgjohet i çlodhur dhe gati për ditën është të siguroheni që të bëjë një gjumë të mirë gjatë natës.”
Fëmijët nga 5 deri në 12 vjeç zakonisht kanë nevojë për 9 deri në 12 orë gjumë çdo natë. Adoleshentët kanë nevojë për 8 deri në 10 orë.
Fëmijët që nuk flenë mjaftueshëm mund të përballen me probleme si:
- Vështirësi për të qëndruar të përqendruar në klasë ose përgjumje gjatë mësimit.
- Vështirësi në të mësuar dhe në të menduarit qartë.
- Nivele më të ulëta energjie.
- Ndryshime të humorit dhe irritim.
Këshilla për krijimin e një rutine të mirë gjumi
Rutinat më të mira para gjumit nuk janë të komplikuara. Ato janë thjesht një seri zakonesh të qeta dhe të parashikueshme që e ndihmojnë fëmijën të kalojë gradualisht nga një ditë aktive drejt gjumit.
Dr. Chen rekomandon këto këshilla:
Ndryshoni orarin gradualisht
Fillimisht përcaktoni se si duhet të jetë orari i gjumit të fëmijës gjatë vitit shkollor. Nisuni nga ora kur duhet të zgjohet dhe llogarisni mbrapsht për të përcaktuar një orar gjumi që i mundëson të flejë numrin e rekomanduar të orëve.
Nëse aktualisht fëmija qëndron zgjuar shumë më vonë, mos u përpiqni ta ndryshoni menjëherë orarin në mënyrë drastike.
“Nëse orari i gjumit të fëmijës duhet të ndryshohet, ndryshimi duhet të bëhet ngadalë”, rekomandon Dr. Chen. “Një ndryshim i papritur mund ta lërë fëmijën të privuar nga gjumi dhe të përgjumur.”
Zhvendoseni orarin e gjumit me vetëm 15 minuta çdo dy deri në tre ditë, derisa të arrini orarin e dëshiruar.
Ndryshimet graduale janë më të lehta për orën biologjike të fëmijës, duke e bërë kalimin më të butë dhe më të lehtë për t’u ruajtur.
Krijoni një rutinë të qetë para gjumit
Ora para gjumit duhet t’i dërgojë trurit të fëmijës sinjalin se ka ardhur koha për të fjetur. Shmangni lojërat e vrullshme gjatë kësaj periudhe dhe fikni pajisjet elektronike.
“Shumë prej nesh nuk e kuptojnë, por koha para ekranit mund të jetë shumë stimuluese për trurin”, vëren Dr. Chen. “Drita blu nga ekranet pengon prodhimin natyral të melatoninës.”
Kjo do të thotë se shikimi i televizorit ose luajtja e videolojërave para gjumit nuk e ndihmon fëmijën të bjerë në gjumë dhe të pushojë mirë.
Në vend të tyre, përdoreni kohën para gjumit për aktivitete të qeta, pa ekrane, si:
- Leximi i një libri.
- Banja ose dushi.
- Dëgjimi i muzikës qetësuese.
- Ngjyrosja ose vizatimi.
- Biseda rreth ditës që ka kaluar.
Bëjeni dhomën e gjumit të përshtatshme për gjumë
Dhoma e fëmijës duhet të jetë e organizuar në mënyrë që të favorizojë gjumin.
Errësira i sinjalizon trupit se ka ardhur koha për të fjetur. Ajo gjithashtu ndihmon në rritjen e niveleve natyrale të melatoninës, hormonit që ndihmon fëmijën të bjerë në gjumë dhe të qëndrojë në gjumë.
Nëse jashtë ka ende dritë, mund të përdorni perde që bllokojnë dritën dhe përpiquni ta mbani dhomën sa më të qetë.
Kushtojini vëmendje edhe temperaturës. Një ambient ideal për gjumë është rreth 18 deri në 21 gradë Celsius. Në mbrëmjet e ngrohta, vishini fëmijës pizhame të lehta dhe mund të përdorni një ventilator.
Mos përdorni ndihmësa për gjumë pa rekomandimin e mjekut
Melatonina dhe suplementet e tjera për gjumë janë bërë gjithnjë e më të përdorura, edhe te fëmijët. Por Dr. Chen thotë se prindërit nuk duhet t’u drejtohen vetë këtyre produkteve.
Suplementet për gjumë nuk trajtojnë zakonet ose faktorët që mund të jenë në themel të problemeve të gjumit të fëmijës.
“Këto janë mjete shumë të fuqishme që duhet të përdoren vetëm nën kujdesin e një profesionisti shëndetësor”, paralajmëron ai. “Përdorimi i gabuar mund t’i bëjë problemet e gjumit të fëmijës shumë më të komplikuara nga sa duhet të jenë.”
Nëse fëmija juaj ka rregullisht vështirësi për të fjetur, flisni me pediatrin ose një profesionist të shëndetit të fëmijëve para se të provoni suplemente apo ndihmësa të tjerë për gjumin. Ata mund t’ju ndihmojnë të gjeni shkakun e problemeve me gjumin. Çelësi është qëndrueshmëria
Rutina më e mirë para gjumit për fëmijët nuk ka nevojë të jetë e komplikuar. Por duhet të jetë e qëndrueshme.
Gjithashtu, mos i neglizhoni probleme si vështirësia për t’u zgjuar, përgjumja gjatë mësimit ose ndjenja e vazhdueshme e lodhjes edhe pasi fëmija ka fjetur numrin e rekomanduar të orëve.
“Kjo mund të jetë shenjë se diçka nuk shkon me cilësinë e gjumit”, thotë Dr. Chen. “Flisni me pediatrin ose specialistin e gjumit për fëmijët për shqetësimet tuaja. Ata mund t’ju ndihmojnë të gjeni zgjidhjet e duhura”.













