Hën, Gus 17, 2026
Banner Top
Banner Top
Në kërkim të një vendi në raft

Shkruan: Bubulina Peni

Kavanozët e produkteve të “Rudi Company” rreshtohen njëri pas tjetrit, nëpër raftet e marketeve. Ngjyrat e perimeve të ruajtura përzihen si mozaik me njëra-tjetrën: speca të kuq, tranguj të gjelbër, lakër e bardhë. Në një hapësirë tjetër, kutitë grumbullohen dhe bëhen gati për rrugën që i çon larg, përtej kufijve të Kosovës.

Kjo procedurë është tashmë një skenë pothuajse e përditshme për Blerta Rudi Rizvanollin nga Gjakova e cila ka parë biznesin “Rudi Company” të rritet hap pas hapi.

Ajo që nisi në vitin 2004 me prodhimin e uthullës, sot ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe ka gjetur vend në tregjet e Gjermanisë, Belgjikës, Suedisë, Zvicrës, Austrisë dhe Francës, me produkte si keçapi, majoneza, trangujt, fafaronat, specat, domatet, specat me lakër dhe lakra turshi.

Biznesi, i themeluar nga babai i Blertës, sot menaxhohet nga ajo.

“Rudi Company” ka 12 punëtorë të rregullt, ndërsa gjatë sezonit ky numër shkon deri në 20 ose 30.

Këto 22 vite rrugëtimi të kompanisë, Blerta i përmbledh me një krahasim.

“E konsideroj biznesin si një fryt, sa më shumë që kujdesesh, ti ke me pasë rezultate.” thotë ajo.

Blerta Rudi Rizvanolli nga “Rudi Company”

Në vitin 2025, Instituti GAP ka publikuar anketën “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”.

Sipas të dhënave, rreth 6.5% e bizneseve në bashkëpronësi të grave operojnë në sektorin e bujqësisë.

Kurse, në një tjetër raport që Instituti GAP ka publikuar në shkurt të vitit 2024, thuhet se në Kosovë bizneset në pronësi të grave janë më të përqendruara në tregtinë me shumicë dhe pakicë, aktivitetet e shërbimeve dhe prodhim.

Ngjashëm, një numër i madh i bizneseve në pronësi të komuniteteve pakicë janë të përqendruara në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndjekur nga prodhimi, si dhe bujqësia, pylltaria dhe peshkimi.

Sipas gjetjeve të këtij raporti, shumica e bizneseve të grave janë të përqendruara në fusha që gjenerojnë më pak të ardhura dhe kanë pak punëtorë.

Sipas GAP-it, kufizimet financiare janë një nga pengesat kryesore që bizneset në pronësi të grave dhe të komuniteteve pakicë hasin kur përpiqen të hyjnë në treg.

Të dhënat e raportit tregojnë se shumica e bizneseve në pronësi të grave dhe të komuniteteve pakicë e kanë të vështirë të lidhin marrëveshje me shitësit e mëdhenj. Kjo për shkak se shpesh ato hasin pengesa për të përmbushur kërkesat për porosi të mëdha, në afate të shkurtra dhe me çmime më të ulëta.

Kurse, bizneset që tashmë kanë lidhur marrëveshje të tilla, përballen me probleme si vonesat në pagesa.

“Për më tepër, ata përballen me probleme në lidhjen e marrëveshjeve për eksport dhe zgjerimin e operimeve të tyre jashtë Kosovës përmes këtyre marrëveshjeve të eksportit.” thotë GAP-i.

Nëpër sfida të ngjashme ka kaluar edhe biznesi “Gratë e Sllatinës së Epërme”, i cili ndryshe njihet me shkurtesën GRASEP. Ky biznes u themelua nga Valbona Ajeti në vitin 2015.

Nga fshati Sllatinë e Epërme e komunës së Vitisë, GRASEP nisi si një iniciativë e një grupi grash. Në fillim, ato punonin në kushte të thjeshta, duke përgatitur dhe konservuar perime me mjete modeste.

Sot, më shumë se 10 vjet më vonë, GRASEP është shndërruar në një fabrikë moderne, ku produkti kryesor janë turshitë dhe ku punojnë 20 persona.

Biznesi “GRASEP” i themeluar nga Valbona Ajeti. FOTO: UNDP Kosovo, 13 mars 2025

Valbona shprehet se dëshira “për tu bërë nje grua e pavarur dhe e zonja e vetes” e shtyu përpara për ta realizuar hapjen e këtij biznesi.

Përveç Kosovës, produktet që prodhon kjo kompani sot shiten edhe në Evropë, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, Suedinë, Italinë dhe Malin e Zi.

Ndonëse Valbona pohon se eksporti i produkteve në vendet jashtë Kosovës sjell shumë përfitime për kompaninë, rrugëtimi drejt tregjeve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nuk ka qenë pa vështirësi.

“Jemi përballur me shumë sfida duke filluar nga sfidat ekonomike, sigurimi i klientëve të rinj si pika të marketeve ose në Evropë” shpegoi ajo.

Edhe rrugëtimi 22-vjeçar i “Rudi Company” nuk ka kaluar pa sfida. Për Blertën, këmbëngulja ka qenë një nga shtysat që e ka shoqëruar këtë rrugëtim.

“Unë, përkundrazi, e kam pas një përparësi, se vetë paraqitja ime, këmbëngulja, e kam pas një farë bagazhi… Përkundrazi më kanë përkrahë sepse, duke e pasë parasysh që në botën e biznesit në përgjithësi pjesa më e madhe gjithmonë ka qenë me burra, tash kur kam depërtu unë, disa e kanë pasë atë respektin për shkak se jam grua.” rrëfen ajo.

Për Blertën, rëndësi ka që problemet në lidhje me marrëdhëniet kontraktuale dhe pagesat të adresohen në kohë, përpara se të rëndojnë mbi biznesin.

“Secili mundohet me të prek në ato pikat tua të dobëta, me të pa sa je i fortë. Kur ta sheh që je pak ma i dobët, ta lëshon… Por me këmbëngulësi unë kam arritë që me i caktu edhe kushtet e mia, dalëngadalë duke shiku që me e gjetë një gjuhë të përbashkët, as ata të mos dëmtohen, as unë të mos dëmtohem.”

Përtej përvojave të vetë bizneseve, të dhënat zyrtare tregojnë se marrëdhëniet mes furnitorëve dhe marketeve mbeten një tjetër pjesë e rëndësishme e kësaj problematike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, gjatë vitit 2025-2026 në marketet e Kosovës janë realizuar mbi 2,000 inspektime.

Megjithatë, kjo ministri ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) nuk ka trajtuar rastet e mosrespektimit të marrëveshjeve me furnitorët vendorë, përfshirë vonesat në pagesa dhe kthimin e produkteve.

Sipas Ministrisë, këto raste të mosmarrëveshjeve kontraktuale zgjidhen nga gjykatat kompetente.

Jo vetëm tregu, por edhe rruga deri te tregu

Vështirësitë për të arritur te tregu nuk janë vetëm përvojë individuale e një biznesi.

Isme Osmani, zyrtare e projekteve në Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës, e njohur si PePeKo, i rendit këto vështirësi nga qasja në financa dhe mungesa e kapaciteteve për marketing e promovim, deri te hyrja në zinxhirët më të mëdhenj të furnizimit.

Në sektorin agro-përpunues, një tjetër sfidë është sigurimi i vazhdueshëm i lëndës së parë dhe standardizimi i produkteve.

“Shpesh bizneset e vogla të udhëhequra nga gratë kanë kapacitete të kufizuara prodhuese, gjë që ua vështirëson bashkëpunimin me rrjete të mëdha tregtare.” thotë Osmani.

Rruga drejt tregjeve ndërkombëtare kërkon edhe më shumë: investime në standarde të cilësisë, certifikim, paketim, promovim dhe rrjetëzim. Për shumë gra sipërmarrëse, thotë Osmani, mungesa e informacionit, kontakteve dhe mbështetjes profesionale e vështirëson më tej këtë proces.

Megjithatë, tashmë ka raste të bizneseve të grave në përpunimin e ushqimit që kanë arritur të eksportojnë produkte tradicionale kosovare.

Pikërisht për të krijuar këto lidhje, PePeKo ka zhvilluar Forume të Sektorit Ushqimor, “biznes me biznes” dhe misione shitjeje.

“Qëllimi ynë është që bizneset të bëhen më konkurruese dhe më të qëndrueshme”, thotë Osmani.

Falënderuese për punën e shoqatave është edhe Blerta, e cila ngre si shqetësim praninë e kufizuar të produkteve vendore në tregun e Kosovës.

“Në Kosovë (produktet tona) shiten në përgjithësi, mirëpo për aq sa ka kapacitet Kosova për produkte vendore shumë pak jemi prezent në përgjithësi krejt prodhuesit e veprimtarisë tonë.” thotë ajo.

Sipas saj, prania e kufizuar e produkteve vendore bëhet veçanërisht e dukshme përballë shumëllojshmërisë së produkteve të importuara.

“Nëse ta zëmë ti don me shku me marrë një trangull, nuk di kë ta përzgjedhësh, i ke 20 lloje të trangujve, kur të vjen puna asnjë vendor nuk e sheh. Më taze se ne vendorët që i kemi nuk gjen.” shprehet ajo.

Përballë produkteve të importuara, një tjetër pikë e vështirë mbetet edhe çmimi.

“Ndoshta edhe mund të ju tërheq çmimi i lirë por a e dini sa shumë rrugë bën për të ardhur ai produkt? Plus kanë shije krejt tjera, kurse produktet tona janë shumë të freskëta. Në fund ne po dalim më të shtrenjtë se ata sepse shteti nuk të përkrhah.” – thotë Blerta.

Prandaj, ajo konsideron se forumet e organizuara nga shoqatat kanë krijuar mundësi të reja për bizneset për të depërtuar në tregjet e huaja.

Por qasja në treg nuk lidhet vetëm me mundësinë për të shitur. Për shumë biznese, ajo lidhet edhe me mundësinë për të marrë mbështetje financiare.

Gjetjet nga anketa e realizuar nga Instituti GAP, “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, tregojnë se përqindja e përfitimit të grave nga subvencionet ka qenë vazhdimisht shumë më e ulët se ajo e burrave.

“Në vitin 2018, vetëm 7% e gjithsej vlerës së subvencioneve shkoi për bizneset në pronësi të grave, ndërsa 93% për burrat.” thotë GAP.

Megjithatë, ky institut thekson se përqindja e subvencioneve të përfituara nga bizneset në pronësi të grave u rrit gradualisht, duke kaluar nga 7% në vitin 2018, në 10% në vitin 2019, 12% në vitet 2020 dhe 2021, dhe 13% në vitin 2022.

Mirëpo, sipas GAP-it, ndonëse është shënuar një rritje e lehtë në përqindjen e mbështetjes për gratë ndër vite, hendeku gjinor në këtë mbështetje mbetet i theksuar.

“Në çdo vit të analizuar, burrat kanë përfituar pjesën më të madhe të subvencioneve, duke marrë mesatarisht rreth 88% të shumës totale, ndërsa gratë vetëm 12%.” thuhet në raport.

Një problem që nis para se produkti të dalë në treg

Për Dafina Millakun, autore e emisionit të bujqësisë “Fara” në Tëvë1 dhe asistente në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, një pjesë e problemit qëndron edhe te mungesa e strukturave të mjaftueshme që lidhin prodhuesit me tregun.

Një nga sfidat që ajo veçon është shpërndarja e pikave grumbulluese në Kosovë.

“Pikat grumbulluese nuk janë të shpërndara në krejt Kosovën mjaftueshëm. Për shembull, ke në një qytet, por në një qytet tjetër mungon. Kështu që, për shembull, nëse një grua në një parcelë merret me prodhim të lëndës së parë, e ka problem tani ku ta gjejë tregun.”

Për gratë që merren me përpunim, problemi mund të shfaqet në të dyja anët: si ta gjejnë lëndën e parë dhe si ta gjejnë tregun për produktin e përfunduar.

Nëse një përpunuese ka nevojë për domate apo speca për të prodhuar ajvar ose salcë, thotë Millaku, mungon një platformë e përbashkët ku mund t’i gjejë lehtësisht fermerët që prodhojnë atë që i nevojitet.

Edhe pasi produkti është gati, mbetet një tjetër pengesë: hyrja në markete.

“Marketet i kanë kushtet e rënda, jo vetëm për gratë fermere por i kanë kushtet e rënda për krejt prodhuesit vendor.”

Disa nga produktet e biznesit GRASEP. FOTO: Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), 23 dhjetor 2025

Edhe tregu ndërkombëtar kërkon rrjete. Sipas Millakut, për bizneset që nuk lidhen përmes shoqatave apo mekanizmave të ngjashëm, gjetja e blerësve dhe tregjeve të huaja mund të jetë shumë më e vështirë.

Një tjetër sfidë që ajo përmend është kontraktimi mes përpunuesve dhe fermerëve.

Ndonëse marrëveshja në fillim të vitit mund të përcaktojë sasinë dhe çmimin e produktit që do të dorëzohet, gjatë sezonit kushtet e tregut mund të ndryshojnë.

“Nëse ti je përpunuese edhe je duke u marrë me një fermer që ka me ta sjellë lëndën e parë, atëherë ti në fillim të vitit e bën një kontratë që e përcakton se kaq sasi me kaq çmim nëse mi sjell në fabrikë unë do të t’i paguaj kaq.Por tash nëse gjatë verës ai e din që diku privatisht mund ta shesë kilogramin më shtrenjtë, ai nuk ta sjell ty edhe pse ka bo kontratë me ty por ja dërgon dikujt tjetër.” shpjegon ajo.

Millaku thekson se këto nuk janë sfida vetëm të grave, por probleme me të cilat përballen fermerët dhe prodhuesit në përgjithësi.

Për gratë që drejtojnë biznese agro-përpunuese, këto sfida vijnë krahas vështirësive të tjera të lidhura me financimin, promovimin dhe rrjetëzimin.


Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë