Pre, Pri 24, 2026
Banner Top
Banner Top

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) sot mbajti mbledhjen e 83-të, në të cilën u trajtuan çështje me rëndësi lidhur me koordinimin dhe vendimmarrjen për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Pas fjalës hyrëse të Kryesueses, Dr. Tetore Olloni, mbledhja vazhdoi me raportimin e Drejtorit Ekzekutiv, z. Elvir Azizi, i cili prezantoi zhvillimet e fundit në institucion, duke vënë theks të veçantë në sfidat aktuale dhe prioritetet për periudhën në vijim. U raportua mes tjerash për progresin në zhvillimin e kardiologjisë invazive, si dhe për afatet e përfundimit të punimeve në hapësirat e mjekimit gjysmëintenziv kardiologjik.

Në këtë kuadër, Dr. Dren Boshnjaku ngriti çështjen e ndikimit të investimeve të LuxDev-it në kardiologjinë invazive, veçanërisht në uljen e listave të pritjes dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Drejtori Ekzekutiv theksoi se pritet ndikim i rëndësishëm si në reduktimin e listave të pritjes, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Po ashtu, u prezantuan planet e veprimit për investime në klinikat kirurgjike të QKUK-së, të cilat do të reflektojnë riorganizim të hapësirave pa cenuar ofrimin e shërbimeve gjatë realizimit të tyre.

U diskutua edhe për fillimin e shërbimit të Kujdesit Paliativ në QKUK si nismë e këtij viti, me mundësi të decentralizimit në spitale, me qëllim ofrimin e shërbimeve më afër qytetarëve. U raportua se realizimi i planit të veprimit për këtë shërbim është drejt përfundimit.

Anëtarët e Bordit diskutuan për trajnimet dhe edukimin e vazhdueshëm profesional, duke kërkuar që ato të realizohen në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga menaxhmentet e spitaleve, SHSKUK-së dhe klinikave të QKUK-së. Dr. Dren Boshnjaku përgëzoi këtë iniciativë, duke e cilësuar si të domosdoshme për avancimin e resurseve humane. U theksua se shpërndarja e buxhetit duhet të jetë proporcionale, në përputhje me nevojat e njësive përbërëse të SHSKUK-së, duke u bazuar në resurset humane, pajisjet e teknologjisë së lartë dhe patologjitë që deri më tani nuk janë trajtuar në kuadër të SHSKUK-së. Me kalimin e kohës, pritet një strukturim dhe harmonizim më i mirë i këtyre trajnimeve.

Në mbledhje u prezantua raporti për burimet njerëzore dhe planifikimet përkatëse, duke theksuar nevojën për veprim në përputhje me planet e punës dhe nevojat konkrete të njësive përbërëse të SHSKUK-së, në mënyrë që të shmangen mospërputhjet në resurset humane që mund të ndikojnë në performancën e institucioneve.

Dr. Vjollca Kadolli theksoi rëndësinë e Spitalit të Ferizajit si investim që, me kapacitete të plota, do të rikthehet në shërbim të qytetarëve. Ndërsa Dr. Ismet Ramadani vlerësoi emërimin e koordinatorëve të cilësisë si një proces të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Anëtarja e Bordit, Dr. Rrezarta Bajrami, adresoi rezistencën antimikrobike si një nga sfidat kryesore aktuale, duke theksuar nevojën për qasje të koordinuar dhe masa konkrete në nivel kombëtar. U nënvizua rëndësia e mbikëqyrjes së rezistencës, përdorimit racional të antibiotikëve, diagnostikimit të saktë laboratorik dhe ndërgjegjësimit të publikut.

Në mbledhje u diskutua edhe për autizmin si një sfidë komplekse e shëndetit publik Kryesuesja Dr.Tetore Olloni theksoi se Bordi Drejtues qëndron në kontinuitet të nismave nga MSh nën misionin e përbashkët për një shëndetësi gjithpërfshirëse me barazi në akces . U theksua se trajtimi kërkon qasje multidisiplinare dhe bashkëpunim ndërmjet pediatërve, psikiatërve të fëmijëve, psikologëve klinikë dhe logopedëve .Diagnoza e hershme dhe trajtimi në kohë janë të drejta themelore dhe se integrimi e decentralizimi i këtyre shërbimeve në sistemin publik shëndetësor është i domosdoshëm-theksoi ajo .

Në këtë drejtim, edhe Dr. Dren Boshnjaku theksoi se autizmi paraqet një shqetësim të rëndësishëm të shëndetit publik dhe kërkon vëmendje të veçantë institucionale, duke nënvizuar nevojën për integrimin e këtyre shërbimeve brenda SHSKUK-së dhe lehtësimin e qasjes për pacientët.

Në mbledhje u prezantua edhe hartimi i KASH-it 2027–2029, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore në përputhje me Ligjin për Shëndetësi e rritjen e performancës dhe efikasitetit të njësive organizative të SHSKUK-së. Po ashtu, u aprovua Komisioni Përzgjedhës për pozitat e Drejtorit të QKUK-së, Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrisë dhe Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajit.

Kryesuesja ritheksoi domosdoshmërinë që targetet e përcaktuara në udhërrëfyesin për njësitë e SHSKUK-së të ndiqen e monitorohen në vazhdimësi, pasi ato përbëjnë një instrument të rëndësishëm vlerësimi nga Zyra e Sigurimeve Shëndetësore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë