Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me burgim të përjetshëm të Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas QKRMT-së, Drejtësia për Liridonën nuk është vetëm një triumf ligjor por edhe drejtësi për të gjitha gratë.
“Si QKRMT, vlerësojmë se ndëshkueshmëria maksimale mbetet mjeti më i fuqishëm për të luftuar femicidin dhe dhunën e planifikuar ndaj grave. Ky vendim është një mesazh se jeta e grave është e paprekshme dhe çdo krim që cenon këtë integritet do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë kompromis. Drejtësia për Liridonën nuk është vetëm një triumf ligjor, drejtësia për Liridonën është drejtësi për të gjitha gratë.” thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën ku Murseli e Plava u dënuan me burgim të përjetshëm kurse Kokalla u dënua me 30 vjet burgim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, të tre ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava.
Siç tregon aktakuza, Naim Murseli i cili ishte bashkëshorti i të ndjerës Liridona Ademaj, i ka premtuar 30 mijë euro dëmshpërblim Granit Plavës që akuzohet se ka shkrepur armën me të cilën ishte vravrë Liridona Ademaj. Kushtrim Kokalla, sipas prokurorisë, kishte rolin që ti vënte në kontakt Plavën me Murselin.
Liridona Ademaj u vra në moshën 30 vjeçare më 29 nëntor të vitit 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.













