Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka ngritur shqetësimin për rreziqet që vijnë nga vetë-diagnostikimi, duke theksuar se gjithnjë e më shumë persona po kërkojnë informacion në internet për simptomat e tyre para se të konsultohen me mjekun.
“Megjithatë, vetë-diagnostikimi mund të jetë i rrezikshëm”, thuhet në njoftim.
Sipas spitalit, një nga rreziqet kryesore është diagnoza e gabuar, pasi “simptomat e njëjta mund të lidhen me sëmundje të ndryshme – disa të lehta, disa serioze”.
Po ashtu, theksohet se vetë-mjekimi mund të ketë pasoja të rënda. “Përdorimi i barnave pa këshillë profesionale mund të përkeqësojë gjendjen”, njofton spitali.
Një tjetër rrezik është edhe vonesa në trajtim, pasi “duke menduar se problemi është i thjeshtë, pacienti mund të vonojë vizitën te mjeku”. Ndërkohë, informacioni i pakontrolluar në internet mund të shkaktojë edhe ankth dhe stres të panevojshëm tek pacientët.
Spitali u bën thirrje qytetarëve që të informohen nga burime të besueshme dhe të mos marrin vendime mjekësore vetëm në bazë të internetit.
“Kujdesi i duhur fillon me diagnozë të saktë”, theksohet më tej, duke rikujtuar rëndësinë e konsultës me profesionistët shëndetësorë.
Në fund, Spitali i Përgjithshëm në Pejë nënvizon se mjeku familjar dhe shërbimet spitalore janë në dispozicion për çdo konsultë, duke inkurajuar qytetarët që për çdo shqetësim të drejtohen tek mjeku.













