Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Me këtë rast, Osmani ka uruar që festa e Fitër Bajramit të rrisë solidaritetin, harmoninë dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit.
“Uroj që kjo festë të na afrojë e të na bashkojë, të rrisë solidaritetin, harmoninë dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit. Uroj po ashtu që Zoti t’jua ketë pranuar lutjet dhe agjërimin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.” ka shkruar Osmani në profilin e saj zyrtar në Facebook.
Sipas Presidentes Osmani, festa e Bajramit shënon një moment të veçantë, kur njerëzit afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe shprehin bujarinë e tyre.
“Në këtë ditë, hapen dyert dhe zemrat, duke mbjellë mirësi, sepse ajo nuk humbet kurrë, për sa kohë që ne zgjedhim ta mbajmë gjallë solidaritetin dhe shpresën.” është shprehur Osmani.
Sot besimtarët myslimanë shënojnë festën e Fitër Bajramit, e cila vjen pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Falja e namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në orën 06:18, e udhëhequr nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti. Hytben qendrore e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.












