Pre, Mar 27, 2026
Banner Top
Banner Top

Një paciente 53-vjeçare i ka mbijetuar tre operacioneve të mëdha në Qendrën Klinike Universitare. Ky rast është i rrallë për faktin se pacientja përkundër operacioneve të rënda, është në gjendje të mirë shëndetësore.

Pacientja 53-vjeçare N.H. u hospitalizua për herë të parë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK në nëntor të vitit 2024. Ajo u paraqit me dhimbje të barkut.

Nga kjo klinikë kanë treguar se pas ekzaminimeve diagnostike tek pacientja ishte konstatuar formacion cistik i përdredhur në ovarin e majtë dhe prani gjaku në hapësirën abdominale.

“Më 25.11.2024 pacientja i është nënshtruar intervenimit kirurgjik, gjatë të cilit është konfirmuar diagnoza e lartpërmendur dhe është bërë largimi i adneksit të majtë. Pas operacionit pacientja është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Klinika e Onkologjisë, ku ka filluar trajtimin me kimioterapi”, thuhet në njoftimin e drejtorit të klinikës Zef Ndrejaj.

Në shkurt 2025, pacientja ishte pranuar përsëri për shkak të problemeve gastrointestinale. Asaj i ishte kryer kolonoskopia dhe ishte marrë biopsia e cila kishte konstatuar sërish probleme shëndetësore për shkak të një tumori tjetër.

“Më 05.02.2025 pacientja është shtruar në repartin e kirurgjisë abdominale dhe i është nënshtruar intervenimit kirurgjik: Hemicolectomia lateralis dextra extensica cum L-L anastomosis. Pas operacionit pacientja është dërguar përsëri në Klinika e Onkologjisë për trajtim me kemioterapi”, ka deklaruar Ndrejaj.

Por problemet nuk morën fund. Pas disa muajsh pacientja sërish u paraqit në Klinikën e Gjinekologjisë. Kësaj radhe me gjakderdhje masive e cila ishte shkaktuar nga një karcinomë tjetër.

“Pas korrigjimit të anemisë, më 26.08.2026, pacientja i është nënshtruar intervenimit kirurgjik, ku është bërë largimi i mitrës me adneksin e djathtë. Më pas është dërguar në Klinika e Onkologjisë për trajtim me rrezatim dhe kimioterapi. Gjatë trajtimit pacientja ka marrë: 8 cikle kimioterapie, 25 rrezatime të jashtme, 2 rrezatime të brendshme, 18 njësi transfuzione gjaku”.

Ndrejaj ka thënë se rastet si kjo paciente e cila i ka mbijetuar tre operacioneve të mëdha, janë mjaft të rralla.

“Raste të tilla janë shumë të rralla, ku një pacient i mbijeton tre intervenimeve të mëdha kirurgjikale, tre karcinomave, si dhe trajtimeve intensive me gjakderdhje, kimioterapi dhe rrezatim. Aktualisht pacientja gëzon gjendje të mirë shëndetësore, e konfirmuar edhe me ekzaminime imazherike”, ka deklaruar Ndrejaj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë