Vjosa Osmani ka ndarë Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” për Prof. Patrick “Paddy” Dewan, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ofrimin e ndihmës profesionale mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të rralla dhe anomalive komplekse tek fëmijët në Kosovë.

Sipas njoftimit të Presidencës, përgjatë viteve Prof. Dewan ka punuar krah për krah me mjekët vendorë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, duke dhënë një kontribut të çmuar në trajtimin e rasteve të ndërlikuara.
Presidentja Osmani ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e tij për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për ndërhyrje kirurgjike, me mbështetjen e komunitetit shqiptar në Australi.

Dekorimi u bë në përfundim të misionit të tij të 16-të në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve.
Drejtori i klinikës, Dr. Sejdi Statovci, bëri të ditur se që nga viti 2011, Prof. Dewan ka realizuar 16 misione në Kosovë, gjatë të cilave ka vizituar dhe konsultuar 632 pacientë, ndërsa së bashku me ekipin vendor ka operuar 288 fëmijë me anomali komplekse të traktit urogjenital, traktit digjestiv, çrregullime të interseksit dhe patologji të tjera të rënda.

Gjatë 15 viteve të angazhimit të tij, profesori nga Australia ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e nivelit profesional të kirurgëve pediatrikë në Kosovë, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës.
Medalja Presidenciale “Shën Tereza” iu nda në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si vlerësim për përkushtimin shumëvjeçar të Prof. Dewan në shërbim të fëmijëve të Kosovës dhe zhvillimit të kapaciteteve mjekësore në vend.














