Rreth 11 mijë persona janë vaksinuar deri më tani kundër gripit sezonal.
Kështu ka njoftuar për “Front Online” kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri.
“Deri tani i kemi vaksinuar rreth 11 mijë persona dhe ai mund të vazhdojë deri në muajin prill-maj”, tregoi ajo.
Zeqiri u shpreh se gripi zakonisht zgjat deri në një javë.
“Gripi zgjat deri në 1 javë por në dy ose tri ditë janë simptomat më të mëdha“, ka deklaruar Zeqiri.
Dr. Zeqiri ka treguar për simptomat më të shpeshta që përfshijnë të prekurit nga gripi sezonal.
“Simptomat më të shpeshta janë kok-dhimbja, teshtitje, kollitje, shkuarje e hunëve, nxënie të hundëve, dhimbje muskulore, temperaturë, ethe. Fëmijët me dhimbje barku e barkqitje të vjellura”, tha ajo.
Dr. Zeqiri theksoi rëndësinë e masave parandaluese.
“Masat parandaluese janë që gjatë teshtitjes ta mbyllim gojën, larja sa më shpesh e duarve me sapunë dhe ujë të ngrohtë, shmangja e kontaktit me personat që kanë simptoma të gripit se përhapja është shumë e lehtë, ajrosja e dhomës dhe pastrimi i sipërfaqeve ku ne prekim është shumë i rëndësishëm”, thotë Zeqiri.
Vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e gripit, sipas Zeqirit.
“Masa më e mirë parandaluese është vaksinimi me atë të gripit ku preferohen të gjitha grupmoshat sidomos mbi 65 vjeç dhe ata me probleme kronike, grat shtatzëna”, u shpreh ajo.











