Komuna e Gjakovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e kësaj komune kanë shkaktuar vërshime në disa zona të caktuara. Për menaxhimin e situatës tashmë është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.
Komuna në këtë njoftim ka theksuar se në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale.
“Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania “Çabrati” po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila konfirmon se gjendja është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.” është bërë e ditur në njoftimin e komunës.
Tutje është theksuar se të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie. 24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme. Me këtë rast Komuna e Gjakovës ka apeluar te qytetarët:
– Të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve.
– Të jenë vigjilentë dhe për çdo problem të njoftojnë ekipet emergjente, Policinë apo Zjarrfikësit.













