Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është deklaruar lidhur me situatën aktuale të listave të pritjes në Klinikën e Kardiologjisë, duke theksuar një rritje të ndjeshme të volumit të punës dhe përmirësim të dukshëm në menaxhimin e pacientëve.
Sipas njoftimit zyrtar, falë angazhimit të shtuar profesional dhe organizativ, aktualisht në Klinikën e Kardiologjisë realizohen rreth 18 procedura në ditë, me qëllim të drejtpërdrejtë uljen e numrit të pacientëve në listat e pritjes.
Nga SHSKUK-ja thonë se para përfshirjes së çdo pacienti në listën e pritjes, dokumentacioni mjekësor shqyrtohet nga një komision profesional i përbërë nga mjekë dhe infermierë. Ky komision vlerëson urgjencën dhe gjendjen klinike të pacientit, duke siguruar që procedurat të kryhen sipas përparësive mjekësore dhe jo thjesht sipas radhës. Rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk përfshihen në listën e pritjes.
“Në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të profilit invaziv, të kualifikuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, vendosjen e stentave dhe kryerjen e ndërhyrjeve të tjera të avancuara. Stafi mjekësor është i përkushtuar maksimalisht në rritjen e volumit të punës, pa dëmtuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.











