Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
Universiteti i Prishtinës dhe Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht” forcojnë kapacitetet për luftën kundër viruseve të rrezikshme

Ka më shumë se dhjetë vjet që Universiteti i Prishtinës është fitues i projekteve nga institucionet drejtuese të Gjermanisë me të cilat vazhdimisht luftohen virusët e rrezikshëm me të cilët përballet Kosova.

Sipas një postimi që ka bërë vetë Universiteti i Prishtinës, që nga viti 2014, UP-ja është përfitues i projekteve të financuara nga Qeveria Gjermane, në kuadër të Programit të Biosigurisë të Ministrisë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë. Projektet janë zbatuar nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht” në Hamburg dhe janë koordinuar nga dr. Petra Emmerich.

Sipas njoftimit të UP-së, qëllimi kryesor i këtyre projekteve, në të cilat përveç UP-së janë të përfshirë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Klinika Infektive — Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka qenë forcimi i kapaciteteve laboratorike në Kosovë për zbulimin e hershëm të viruseve me patogjenitet të lartë, si virusi i etheve hemorragjike Krime-Kongo, Hantavirusi, virusi i Nilit Perëndimor, Mpox-i, etj.

Në kuadër të bashkëpunimit janë realizuar hulumtime të përbashkëta shkencore, nga të cilat janë publikuar me dhjetëra punime në revista prestigjioze shkencore ndërkombëtare, si dhe rezultatet e këtyre hulumtimeve janë prezantuar ne konferenca ndërkombëtare, duke potencuar “Medical Biodefense Conference”, e cila mbahet çdo dy vjet në Munih të Gjermanisë.

“Një komponent i rëndësishëm i projekteve ishte donacioni i pajisjeve laboratorike, materialit shpenzues, kiteve dhe reagjensëve të domosdoshëm per realizimin e hulumtimeve në Kosovë, por gjithashtu edhe trajnimi i stafit në fushën e biosigurisë dhe realizimit të teknikave laboratorike.” ka theksuar UP-ja.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë është një nga përfituesit e pajisjeve laboratorike bashkëkohore, kiteve dhe materialit shpenzues për monitorimin e viruseve te vektorët artropodë, ndërsa ato po shfrytëzohen edhe për procesin mësimor dhe kërkimin shkencor.

Profesori i këtij fakulteti dhe partneri i projektit gjerman në Kosovë, prof. Kurtesh Sherifi, për uebfaqen e Institutit për Mjekësi Tropikale „Bernhard Nocht” në Hamburg, tha se Programi Gjerman për Biosiguri i Zyrës Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë ishte një nga projektet më efikase dhe më të rëndësishme në karrierën e tij shkencore deri më sot.

“Projekti u karakterizua nga punë intensive dhe të përkushtuar, bashkëpunim të shkëlqyeshëm ndërpersonal dhe sukses të matshëm — rënie të rasteve të virusit të etheve hemorragjike Krime-Kongo (CCHFV) midis viteve 2013 dhe 2025”, tha profesori Sherifi, duke falënderuar shtetin gjerman në emër të Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës.

Profesori Sherifi me dr. Matthew Montgomery janë udhëheqës shkencorë edhe në një projekt të përbashkët me komponentën mjekësore të ushtrisë amerikane dhe Mjekësisë Veterinare të UP-së për identifikimin e virusëve, baktereve dhe parazitëve të rrezikshëm për ushtarët dhe popullatën në zonën e kampit ushtarak amerikan „Bondsteel”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë