Die, Mar 29, 2026
Banner Top
Banner Top
OBSH: Fixhi bëhet vendi i 26-të që eliminon trakomën si problem të shëndetit publik

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se Fixhi ka eliminuar trakomën si një problem të shëndetit publik. Trakoma, një sëmundje tropikale e shpërfillur (NTD) dhe shkaku kryesor infektiv i verbërisë në botë, nuk përbën më kërcënim për shëndetin publik në këtë vend.

Sipas OBSH-së, trakoma është sëmundja e parë tropikale e shpërfillur që eliminohet në Fixhi. Ky vend bëhet i 26-ti në botë që e eliminon trakomën si problem të shëndetit publik dhe i 58-ti që eliminon të paktën një sëmundje të tillë.

“OBSH përgëzon Fixhin dhe rrjetin e saj të partnerëve globalë dhe lokalë për arritjen e këtij momenti historik,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së. “Brezat e ardhshëm të Fixhit janë bekuar me një dhuratë të çmuar, çlirimin nga vuajtja që trakoma u ka shkaktuar të parëve të tyre.”

OBSH shpjegon se trakoma shkaktohet nga bakteri Chlamydia trachomatis dhe përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, sipërfaqeve të kontaminuara apo mizave që kanë pasur kontakt me sekrecionet e syrit apo hundës së një personi të infektuar. Infeksionet e përsëritura mund të çojnë në formimin e plagëve në qepallë, kthimin e tyre nga brenda dhe, në fund, verbëri. Në nivel global, sëmundja mbetet endemike në shumë komunitete të pambrojtura, ku mungojnë uji i pastër dhe higjiena.

Historia e suksesit të Fixhit

“Suksesi i Fixhit në eliminimin e trakomës është një shembull i qartë i asaj që mund të arrihet kur komunitetet, qeveritë dhe partnerët bashkohen për një qëllim të përbashkët,” tha Dr. Saia Ma’u Piukala, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Paqësorin Perëndimor. “Ky është një moment për të festuar fuqinë e lidershipit në Paqësor dhe ndikimin që ka investimi i vazhdueshëm në shëndetësi. OBSH përgëzon Fixhin dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur vendet në Rajon për të përparuar drejt shëndetit për të gjithë, pa lënë askënd pas.”

Trakoma dikur përbënte një problem serioz të shëndetit publik në Fixhi, me raporte mjekësore që datojnë nga vitet 1930 dhe studime në komunitet në vitet 1950 që dokumentonin përhapje të gjerë të sëmundjes dhe rrezik për verbëri. Në vitet 1980, gjendja u përmirësua ndjeshëm, ndërsa katarakti dhe çrregullimet refraktive dolën në pah si shkaqet kryesore të humbjes së shikimit.

Megjithatë, OBSH thkson se shqetësimi u ringjall në fillim të viteve 2000, kur vlerësime të shpejta sugjeruan nivele të larta të trakomës aktive te fëmijët. Kjo nxiti Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Mjekësore që të ndërmerrte një program të plotë për të kuptuar më mirë situatën dhe për të ndërhyrë me masa të përshtatshme.

“Që nga viti 2012, Fixhi ka ndërmarrë një sërë studimesh dhe vlerësimesh të mbështetura ndërkombëtarisht, përfshirë sondazhe të bazuara në popullatë dhe testime laboratorike, për të analizuar përhapjen e trakomës dhe për ta dalluar atë nga sëmundje të tjera të syrit.” ka thënë OBSH.

Sipas tyre, kjo përpjekje e qëndrueshme, e integruar me programe për shëndetin në shkolla, furnizimin me ujë të pastër dhe fushata ndërgjegjësimi në komunitet, ka konfirmuar se trakoma nuk është më problem shëndetësor publik në Fixhi dhe se ekzistojnë sisteme për të identifikuar dhe menaxhuar rastet e mundshme në të ardhmen.

“Eliminimi i trakomës nga Fixhi është një moment përcaktues për barazinë në shëndet në rajonin e Paqësorit,” tha i nderuari Dr. Ratu Atonio Rabici Lalabalavu, Ministër i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Mjekësore në Fixhi. “Kjo arritje pasqyron vite të tëra veprimi të koordinuar nga fshatrat, qendrat shëndetësore dhe platformat rajonale duke treguar përkushtimin e palëkundur të punonjësve tanë të shëndetësisë dhe të komuniteteve që udhëhoqën ndryshimin. Teksa festojmë këtë sukses, u bëjmë thirrje donatorëve dhe partnerëve tanë në Paqësor dhe më gjerë të vazhdojnë të mbështesin përshpejtimin e veprimeve ndaj sëmundjeve tropikale të shpërfillura, për të trajtuar sëmundje të tjera jo vetëm në Fixhi, por në gjithë Paqësorin.”

Kontribut në përparimin global

Sëmundjet tropikale të shpërfillura (NTD) janë një grup i larmishëm sëmundjesh dhe gjendjesh shëndetësore që lidhen me pasoja të rënda për shëndetin, aspektin social dhe ekonomik. Ato janë më së shumti të përhapura në komunitete të varfra në zonat tropikale. OBSH vlerëson se NTD-të prekin mbi 1 miliard njerëz në botë.

Objektivat e përcaktuara në Hartën Rrugore për Sëmundjet Tropikale të Shpërfillura 2021–2030 përfshijnë parandalimin, kontrollin, eliminimin dhe çrrënjosjen e 20 sëmundjeve dhe grupe sëmundjesh deri në vitin 2030.

Që nga viti 2016, 13 shtete anëtare të Rajonit të Paqësorit Perëndimor, që përfshin 38 vende dhe territore, janë konfirmuar nga OBSH si vende që kanë eliminuar të paktën një NTD. Nga këto, gjashtë vende: Kamboxhia, Kina, Republika Demokratike Popullore e Laos-it, Papua Guinea e Re, Vanuatu dhe Vietnami  kanë eliminuar me sukses trakomën si problem të shëndetit publik. Eliminimi i trakomës është pjesë e progresit më të gjerë në luftën kundër NTD-ve në Fixhi dhe në gjithë Rajonin e Paqësorit Perëndimor.

OBSH në fund të njoftimit të tyre ka thënë se kjo organizatë vazhdon të mbështesë vendet në përpjekjet e tyre për të eliminuar trakomën dhe sëmundjet e tjera tropikale të shpërfillura, duke siguruar jetë më të shëndetshme për të gjithë, veçanërisht për më të pambrojturit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë