Mër, Pri 1, 2026
Banner Top
Banner Top
SHBA paralajmëron për shpërthim të ri të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë lëshuar një paralajmërim të ri shëndetësor lidhur me shpërthimin më të fundit të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos. Deri më 18 shtator, janë raportuar 37 raste të konfirmuara dhe 19 viktima.

Më 8 shtator, CDC gjithashtu publikoi një njoftim shëndetësor për udhëtimet drejt Kongos, duke rekomanduar që udhëtarët të shmangin kontaktin me persona të sëmurë dhe të monitorojnë veten për simptoma të Ebolës gjatë qëndrimit dhe për 21 ditë pas largimit nga zona e prekur.

Çfarë është Ebola? Çfarë e shkakton? Cilat janë simptomat dhe sa e rrezikshme është? Si përhapet sëmundja? A ka trajtim? A ka vaksinë? Dhe pse janë dhënë këto paralajmërime nga CDC?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, CNN foli me Dr. Leana Wen, eksperte e shëndetit publik dhe profesoreshë në Universitetin George Washington. Ajo më parë ka shërbyer si drejtoreshë e shëndetit publik në Baltimore.

Çfarë është Ebola dhe çfarë e shkakton?

Dr. Leana Wen:
Ebola është një sëmundje shumë e rëndë me shkallë të lartë vdekshmërie. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 50% e të infektuarve humbin jetën. Shkaktohet nga një grup virusesh që i përkasin familjes Orthoebolavirus. U zbulua për herë të parë në vitin 1976 në zonën që sot është pjesë e Kongos.

Përveç virusit Ebola, që shkakton sëmundjen me të njëjtin emër, ekzistojnë edhe viruse të tjera si virusi Sudan, Bundibugyo dhe Taï Forest, që gjithashtu mund të shkaktojnë sëmundje të rënda te njerëzit.

Shpërthimi aktual në Kongo është shkaktuar nga virusi Ebola. Ky është shpërthimi i 16-të që raportohen atje që nga viti 1976.

Cilat janë simptomat e Ebolës dhe kur shfaqen?

Wen:
Periudha e inkubacionit është nga 2 deri në 21 ditë, por mesatarisht simptomat shfaqen pas 8 deri në 10 ditë nga ekspozimi.

Fillimisht paraqiten simptoma “të thata” si: temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe lodhje — të cilat janë të përgjithshme dhe shpesh ngatërrohen me gripin, malarien apo ethet tifoide.

Pas 4–5 ditësh, pacientët kalojnë në fazën e simptomave “të lagështa”, që janë më karakteristike për Ebolën: dhimbje barku, të vjella, diarre, skuqje e lëkurës, dhimbje gjoksi dhe gjakderdhje nga sytë, goja, hunda apo zorra. Në raste të rënda mund të ndodhë edhe dështim i organeve, kriza epileptike, inflamacion i trurit dhe vdekje.

Si përhapet Ebola?

Wen:
Më së shumti përhapet nga një person te tjetri, përmes kontaktit me gjak apo lëngje trupore të një të infektuari (të gjallë apo të vdekur). Po ashtu, objeket e kontaminuara si çarçafët, veshjet, takëmet apo pajisjet mjekësore mund të transmetojnë virusin.

Përhapja mund të ndodhë edhe përmes kontaktit seksual, sidomos nëpërmjet spermës së një personi të infektuar ose që është rikuperuar kohët e fundit. Njerëzit gjithashtu mund të infektohen nëse prekin apo konsumojnë kafshë të infektuara si lakuriqët e natës, majmunët apo antilopat.

Si trajtohen pacientët me Ebola?

Wen:
Pacientët izolohen menjëherë për të parandaluar përhapjen. Kujdesi mbështetës është vendimtar dhe përfshin zëvendësimin e lëngjeve dhe elektroliteve që humben nga organizmi. Nëse tensioni ose niveli i oksigjenit bie, kërkohet kujdes intensiv për stabilizim.

Disa pacientë mund të kenë nevojë për trajtim kundër infeksioneve të tjera ose komplikacioneve nga sëmundjet e mëparshme.

Aktualisht, FDA ka miratuar dy trajtime: një kombinim prej tre antitrupash monoklonalë dhe një tjetër me një antitrup të vetëm. Këto trajtime kanë treguar se ulin vdekshmërinë në provat klinike, por gjithsesi rreziku mbetet i lartë. Për shkak të kostos dhe sfidave logjistike, këto trajtime janë të vështira për t’u siguruar, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane.

A ekziston vaksinë kundër Ebolës?

Wen:
Po. Vaksina Ervebo u miratua nga FDA në vitin 2019 për përdorim kundër virusit Ebola. Një vaksinë e dytë është miratuar në Evropë, por nuk përdoret në SHBA.

Ervebo përdoret zakonisht gjatë shpërthimeve përmes një strategjie të quajtur “vaksinim në unazë”. Kjo metodë përfshin vaksinimin e atyre që janë në rrezik më të lartë, si kontaktet e afërta të pacientëve të konfirmuar, kontaktet e atyre kontakteve dhe punonjësit shëndetësorë.

Qëllimi është të krijohet një “unazë mbrojtëse” rreth rasteve për të frenuar përhapjen e virusit.

Sipas OBSH-së, 400 doza të para të vaksinës tashmë janë dërguar në një nga zonat më të prekura në Kongo, dhe doza të tjera pritet të arrijnë së shpejti.

Çfarë duhet të dinë njerëzit për këtë shpërthim? Pse CDC ka dhënë alarme?

Wen:
Ebola është një sëmundje vdekjeprurëse dhe është e rëndësishme që të mobilizohen burimet e nevojshme për të ndihmuar Kongon. Deri tani, nuk është raportuar asnjë rast i dyshuar apo i konfirmuar jashtë Kongos, përfshirë edhe SHBA-në, kështu që rreziku për përhapje ndërkombëtare mbetet i ulët.

CDC këshillon që udhëtarët drejt Kongos të shmangin kontaktin me persona të sëmurë dhe të vetë-monitorohen për simptoma për 21 ditë pas kthimit. Kushdo që zhvillon simptoma duhet të izolohet menjëherë dhe të kontaktojë një mjek ose autoritetet shëndetësore lokale.

Paralajmërimi i CDC ka për qëllim të njoftojë mjekët dhe spitalet që të kenë në konsideratë Ebolën nëse hasin pacientë me simptoma të dyshimta dhe me histori udhëtimi në zonat e prekura. Gjithashtu, ai ofron udhëzime për laboratorët dhe zyrat e shëndetit publik që mund të përfshihen në diagnostikim dhe trajtim.

Ka ndonjë këshillë tjetër për publikun?

Wen:
Për publikun jashtë zonave të prekura, nuk ka ndonjë masë shtesë për momentin. Por për ata që jetojnë ose udhëtojnë në rajonet e prekura, është thelbësore të respektojnë masat parandaluese: të shmangin kontaktin me persona të sëmurë, objekte të kontaminuara dhe të mos vizitojnë spitale pa nevojë të menjëhershme.

Duhet shmangur çdo praktikë tradicionale funerale që përfshin prekje të trupit të të ndjerit. Gjithashtu, duhet evituar kontakti me lakuriqë nate, majmunë apo antilopa dhe mos frekuentoni shpella apo miniera ku mund të jetojnë lakuriqët.

Kushdo që shfaq simptoma duhet të izolohet dhe të kërkojë ndihmë mjekësore sa më shpejt. /CNN/

Youtube

Arkiva

Kategoritë