Më datat 15 dhe 16 Shtator, në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në Laboratorin e Mikrobiologjisë së Ushqimit të Departamentit të Ekologjisë Humane, është organizuar një trajnim profesional me mikrobiologë dhe laborantë nga Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP).
Nën udhëheqjen e Dr. Arbëresha Jaka-Loxha dhe me mbështetjen e laborantëve Vehbi Tahiri dhe Art Nurboja, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin dhe të praktikojnë nga afër metodologjinë më të avancuar për izolimin e baktereve patogjene në mostrat ushqimore, duke përdorur pajisjen moderne VIDAS KUBE.
Trajnimi kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale në nivel rajonal, duke i përgatitur mikrobiologët për zbatim të drejtpërdrejtë të kësaj metode në punën e tyre të përditshme laboratorike.
🔬 Aftësitë e fituara gjatë trajnimit përfshijnë:
- Përgatitjen e mostrës hap pas hapi
- Leximin dhe analizimin përmes pajisjes VIDAS KUBE
- Interpretimin e rezultateve në mënyrë të saktë dhe të standardizuar
Departamenti i Ekologjisë Humane në IKSHPK thekson se mbetet i përkushtuar në ngritjen e cilësisë së analizave laboratorike dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend, përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe përmirësimit të infrastrukturës teknologjike.
Kjo iniciativë përbën një hap të rëndësishëm drejt standardizimit dhe unifikimit të procedurave të kontrollit mikrobiologjik të ushqimit në të gjitha Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik në Kosovë.












