Në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 23 raste të braktisjes së foshnjave të porsalindura.
Drejtori i klinikës, dr. Luan Morina, tha se shumica e tyre kanë arritur të ribashkohen me prindërit biologjikë pas ndërmjetësimit nga Qendra për Punë Sociale, ndërsa gjashtë raste të tjera kanë kaluar në përkujdesjen e familjeve strehues.
Në këtë klinikë, ekziston një hapësirë e veçantë e njohur si “Djepi i Engjëjve”, ku stafi mjekësor kujdeset për foshnjat e braktisura deri në 30 ditë, duke u ofruar ushqim, kujdes shëndetësor dhe ngrohtësi, derisa institucionet përkatëse vendosin për të ardhmen e tyre.
“Ne e kemi një dhomë të veçantë për fëmijët pa përkujdesje prindërore, e kemi një dhomë që përkujdesemi për këto foshnje, në momentin kur lind foshnja, në klinikën obstetrike-gjinekologjike, dhe prindërit deklarohen që nuk duan të marrin foshnjën për arsye dhe shkaqe të ndryshme, kemi faktorë të ndryshëm të shumtë që mund të shtyjnë deri të një vendim i prindërve, atëherë foshnja në mënyrë të menjëhershme merret nga infermieret dhe sillet në klinikën tonë, pikërisht në dhomën që ne e kemi të destinuar dhe të përgatitur për këto foshnje dhe kalon në përkujdesjen e stafit tonë, në rast se ajo foshnje ka nevojë për ndihmë mjekësore, ne i ofrojmë, në rast se nuk ka nevojë, e kemi kujdesin rutinor ndaj asaj foshnje, me ushqyerje, ndërrim, pastrimin, kujdesin, krejt çfarë ka nevojë”, tha Dr. Morina për Arbresh.info.
Dr. Morina tregon bashkëpunimet që klinika e Neonatologjisë ka me Qendrën për Punë Sociale për strehimin e foshnjave të braktisura. Ai tregon se ka raste kur është arritur që fëmijët e braktisur të ribashkohet me prindërit e tyre biologjikë.
“Kjo përkujdesje ndaj këtyre foshnjave zgjat 30 ditë, ne në kuadër të klinikës e kemi një ndërmjetësuese, e cila kryen një ndërmjetësim mes Qendrës për Punë Sociale, klinikës tonë dhe prindërve, dhe bashkëbisedon me ta, dhe sheh mundësinë në rast se eventualisht kanë mundësi ose ndërrojnë mendjen, dhe e pranojnë fëmijën, kemi raste të tilla që kemi arritur të bëjmë Bashkim familjar më prindërit biologjikë edhe pse kanë deklaruar, pas një kohe, një javë, bisedat me ndërmjetësuesit, me ne dhe me Qendrën për Punë Sociale, kemi arritur që prapë të bashkohet me familje, me prindërit biologjikë”, shprehet ai.
“Pasi foshnjat janë mirë në aspektin shëndetësor, ne në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, I thërrasim dhe ata vijnë dhe kalon në përkujdesjen e saj të komunës prej nga vjen prindërit apo foshnja, pastaj kjo qendër e gjen një familje strehuese për atë foshnje, dhe pastaj pas një kohe varësisht nga situate, ku involvohet dhe gjykata, foshnja mund të kalojë në një strehim të përhershëm të ndonjë familje”, tha ai për Arbresh.info.













