Shkruar nga: Gentiana Kuqi-Tishukaj – Psikologe Klinike
Çasja e lehtë tek droga, dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja, presioni i bashkëmoshatarëve, janë disa nga shumë faktorë që mund të shtyjnë adoleshentët të fillojnë përdorimin e drogës.
Pyetjet që secili prind i parashtron vetës rreth çështjes së përdorimit të drogës tek moshat e reja sigurisht janë të shumta.
Ato më të zakonshmet janë: si mund të vërej që fëmija im ka filluar përdorimin e drogës? Si të vepro më tutje nëse fëmija ka filluar përdorimin e drogës?
Nëse ju si prind keni dyshime ose edhe e keni kuptuar që fëmija i juaj po përdorë drogë, atëherë gjëja e parë që duhet të bëni është të merrni frymë thellë dhe të qetësoheni para se të filloni të veproni. Biseda e parë me fëmijën rreth kësaj çështjeje do t’i hedhë themelet për rezultate pozitive. Prandaj, është me rëndësi të keni informata të sakta rreth drogave, duke mos nënvlerësuar efektin e tyre dhe duke mos ekzagjeruar asgjë që ka të bëjë me drogat.
Fëmijët do të flasin më hapur për problemet e tyre, nëse ata e ndjenjë sigurinë që mund të ofroni ju si prind. Është me rëndësi që biseda të jetë e qetë, të ofrohet hapësira për diskutime të hapura, ku fëmijët ndihen të lirë për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre.
Simptomat e listuara më poshtë sugjerojnë një problem që mund të bëhet serioz dhe këto simptoma duhet të vlerësohen për të përcaktuar shkakun themelor që mund të jetë abuzimi me droga ose ndonjë problem tjetër i shëndetit mendor.
Shenjat fizike dhe shëndetësore të abuzimit me drogën:
Sytë janë të kuq ose bebëzat janë më të rritura ose më të zvogëluara se zakonisht
Ndryshime në apetit, p.sh humbje shumë e shpejtë e peshës ose shtim i peshës, gjithashtu ndryshime në ciklin gjumë – zgjim.
Përkeqësim në pamjen e përgjithshme fizike
Kurse shenjat e sjelljes së abuzimit me drogë janë:
Mungesa në shkollë, rënie e performancës akademike dhe probleme në shkollë
Humbje e interesit në aktivitetet jashtë shkollore
Rënie e motivitmit
Ulje e performancës në punë
Ankesa nga kolegët, mësuesit apo shokët e klasës
Humbje e parave apo sendeve me vlerë në shtëpi
Janë më të tërhequr nga veprimet sociale, të heshtur, të angazhuar në sjellje të fshehta ose të dyshimta
Përleshje me vlerat dhe besimet familjare
Kërkojnë më shumë privatësi, duke shmangur kontaktin me sy
Ndryshim i menjëhershëm në marrëdhëniet sociale p.sh. shoqëri e ndryshme nga ata që janë shoqëruar më parë
Kanë probleme me ligjin më shumë se zakonisht
Shenjat paralajmëruese psikologjike të abuzimit me drogë:
Ndryshim i pashpjegueshëm ose konfuz në personalitetin ose qëndrimet e tyre
Ndryshime të papritura të humorit, nervozizëm shpërthime të zemëruara ose të qeshura për asgjë
Periudha të hiperaktivitetit të pazakonshëm ose agjitim
Mungesa e motivimit: pamundësi për tu përqendruar
Duken të frikësuar ë tërhequr, të shqetësuar pa ndonjë arsye të dukshme
Prindërit mund të luajnë një rol të pazëvendësueshëm dhe vendimtar në mbështetjen e aspekteve praktike të trajtimit, siç është mbajtja e strukturës dhe mbikëqyrjes së nevojshme përmes rregullave familjare dhe monitorimit të fëmijëve duke i përfshirë edhe fëmijët në mënyrë aktive në secilin aktivitet që së bashku me psikologun kanë vënë si objektiva të procesit të trajtimit.
Gjithashtu përmes përfshirjes së prindërve në trajtim do të krijohet një dinamikë më funksionale në familje, do të përmirësohet komunikimi dhe përmes një komunikimi konstruktiv edhe trajtimi do të jetë më i suksesshëm.
Psikologu mund t’i ndihmojë prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes që kanë qasje në trajtim të identifikojnë mënyrat se si mund t’i mbështetin ndryshimet që adoleshenti/ja arrin përmes trajtimit.