Pre, Mar 27, 2026
Banner Top
Banner Top

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar me shqetësim lidhur me situatën alarmante të krijuar ditëve të fundit në Prishtinë për shkak të grumbullimit të pakontrolluar të mbeturinave. Në një njoftim publik, IKSHPK thekson se menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e ambientit të pastër dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Sipas IKSHPK-së, hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, duke krijuar kushte për zhvillimin e baktereve dhe parazitëve që përhapin sëmundje infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksione respiratore.

Djegia e mbeturinave, veçanërisht në mënyrë të pakontrolluar, liron gaze të rrezikshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe edhe kancer. Përveç dëmeve mjedisore, mungesa e menaxhimit të duhur ndikon edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kjo situatë ishte veçanërisht e dukshme javën e kaluar në rrugën “Shaqir Igrishta” të Prishtinës, ku kontejnerët ishin të tejmbushur dhe mbeturinat të shpërndara gjithandej, duke paraqitur një rrezik të madh për shëndetin publik. Qentë dhe macet endacake e përhapin më tej këtë ndotje, ndërsa reshjet e shiut dhe kapakët e hapur të kontejnerëve kanë përkeqësuar cilësinë e ajrit me aroma të rënda.

Për të përmirësuar gjendjen, IKSHPK ka dhënë këto rekomandime:

Të bëhet largimi i rregullt i mbeturinave në të gjitha lagjet;

Të funksionalizohen dhe mbyllen kapakët e kontejnerëve;

Të pastrohet rregullisht hapësira përreth kontejnerëve;

Të rregullohet menaxhimi i mbeturinave inerte që nuk trajtohen nga kompania “Pastrimi”;

Të ndalohet hedhja e materialeve ndërtimore në pikat grumbulluese, duke vendosur shenja të qarta ndaluese.

IKSHPK kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe ambienti i kryeqytetit. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë