Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse (ECDC) kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sëmundjeve ngjitëse.
Ky memorandum është nënshkruar ndërmjet ECDC-së, përfaqësuar nga drejtoresha Pamela Rendi-Wagner, dhe ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, përfaqësuar nga Ardita Baraku, drejtoreshë e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet palëve, për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, përmes përgatitjes për pjesëmarrje në aktivitetet e ECDC-së dhe shkëmbimit të informacionit në kohë.
Bazuar në rregulloret dhe ligjet relevante të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, ky dokument synon të vendosë një kuadër të bashkëpunimit për: Pjesëmarrje në aktivitetet mbështetëse të ECDC-së për vendet kandidate për anëtarësim; Forcimin e mbikëqyrjes, ndarjes së të dhënave dhe reagimit ndaj kërcënimeve shëndetësore; Trajnime, zhvillim profesional dhe përmirësim të qasjes nder sektoriale “One Health” për luftimin e rezistencës antimikrobike; Shkëmbim të inteligjencës epidemiologjike për sëmundje të caktuara dhe pjesëmarrje si vëzhgues në rrjetet e ECDC-së; Mbështetje për përmirësimin e kapaciteteve të përgjigjes ndaj epidemive në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR)”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
MSh shton se ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm për Kosovën në drejtim të integrimit në strukturat evropiane të shëndetit publik dhe përforcimit të kapaciteteve për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.













