Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se produkti medicinal IOHEXOL (kontrast jo-jonik), i përdorur për diagnostikim në imazheri, është i sigurt për përdorim. Masa e pezullimit është hequr.
Vendimi është marrë bazuar në rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike të kryera nga një Laborator për Kontroll dhe Cilësi jashtë vendit, si dhe në raportin e dërguar nga Departamenti i Farmakovigjilencës në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).
Inspektoriati Farmaceutik ka konstatuar se produkti plotëson standardet e sigurisë dhe cilësisë për përdorim mjekësor.
“ShSKUK siguron qytetarët se mbrojtja e shëndetit të pacientëve mbetet prioritet i vazhdueshëm, andaj ka ndjekur të gjitha procedurat e verifikimit, deri në konfirmimin përfundimtar”, theksohet në njoftim.
Ky kontrast ishte pezulluar prej dy muajsh, pas paraqitjes së reaksioneve alergjike te disa pacientë.












