Mjeku gjinekolog, Dr. Berat Krasniqi ka kryer me sukses një lindje të rrallë të njohur si ‘En caul birth’, ku foshnja vjen në jetë ndërsa qesja amniotike mbetet e paplasur.
Lindjet ‘En caul’ ndodhin kur foshnja lind ende brenda qeses amniotike, e cila nuk çahet gjatë procesit të lindjes. Kjo është një dukuri e jashtëzakonshme dhe ndodh në më pak se 1 në 80,000 lindje natyrale. Në shumicën e rasteve, qesja amniotike çahet vetë gjatë lindjes ose prishet artificialisht nga mjekët për të ndihmuar procesin. Megjithatë, kur lindja ndodh pa e çarë këtë qese, krijohet një pamje e veçantë, duke bërë që foshnja të duket sikur është ende brenda barkut të nënës.
Kjo lloj lindjeje shpesh konsiderohet një shenjë fati dhe mbrojtjeje në shumë kultura. Po ashtu, ka avantazhe të caktuara për foshnjën, pasi qesja amniotike vepron si një mburojë natyrale, duke e mbrojtur atë nga presioni dhe ndryshimet e menjëhershme të ambientit jashtë mitrës.
Dr. Berat Krasniqi dhe ekipi i tij kanë demonstruar edhe një herë përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në kujdesin shëndetësor për gratë shtatzëna, duke sjellë në jetë një foshnjë në mënyrë të sigurt dhe të veçantë.












