Si një formë jashtëzakonisht agresive e kancerit të lëkurës, melanoma e lëkurës, është ende e lidhur me një shkallë të lartë vdekshmërie.
Kohët e fundit është bërë përparim i madh në luftën kundër metastazave vdekjeprurëse, por masat terapeutike ekzistuese ende nuk janë efektive në shumë raste, shkruan Medical Xpress.
Tani një ekip hulumtues i udhëhequr nga Wolfgang Weninger dhe Shweta Tikoo nga Departamenti i Dermatologjisë i MedUni Vienna ka zbuluar një opsion të ri që synon kapacitetin metastatik të qelizave të melanomës.
Rezultatet e studimit hapin rrugën për zhvillimin e një klase të re barnash dhe së fundmi janë botuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”.
Efektet anësore, rezistenca dhe efikasiteti i kufizuar i terapive të synuara dhe imunoterapeutikëve janë problemet që hasen në trajtimin e melanomës metastatike pavarësisht përparimeve të mëdha mjekësore gjatë 10 viteve të fundit.
“Përveç kësaj, ende nuk ka ilaçe që synojnë drejtpërdrejt aftësinë metastatike të qelizave të melanomës”, thonë drejtuesit e studimit Weninger dhe Tikoo, duke përshkruar pikën fillestare për punën kërkimore.
Në kërkimin e tyre për një opsion trajtimi që mund të luftojë jo vetëm përhapjen e kancerit, por edhe ta parandalojë atë, ekipi hulumtues u fokusua në procesin kompleks të metastazave.
Një tipar kryesor i këtij procesi është formimi i të ashtuquajturës invadopodia. Këto janë struktura qelizore që formohen nga qelizat e kancerit për ta bërë më të lehtë depërtimin e tyre në indet përreth. Një proteinë e quajtur F-actin është gjithashtu e përfshirë në këtë proces.
Parandalimi i përhapjes së kancerit
Me ndihmën e një platforme të zhvilluar posaçërisht, shumë komplekse të shqyrtimit të “bllokut të pushtimit”, studiuesit ekzaminuan 4000 substanca tashmë të miratuara për aftësinë e tyre për të ndalur praktikisht formimin e invadopodisë në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e qelizave tumorale. “Ne identifikuam frenuesit e kinazës si terapeutikë premtues,” thonë studiesit, duke përshkruar gjetjet.
Kinazat janë enzima që luajnë një rol vendimtar në transmetimin e sinjaleve brenda qelizave. Frenuesit e kinazës, nga ana tjetër, janë substanca që mund të bllokojnë disa rrugë sinjalizuese, për shembull, për të frenuar rritjen e tepërt të qelizave kancerogjene.
“Studimi ynë ka hapur rrugën për zhvillimin e medikamenteve të mundshme anti-metastatike”, thonë studiuesit. Ata janë të bindur se “kërkimet e ardhshme do të përqendrohen në zhvillimin e këtij opsioni për luftimin terapeutik të metastazave të melanomave të lëkurës”.