Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Se si të kujdesemi për gripin gjatë periudhës së dimrit – tregon doktoresha, Donika Pasha Kërleshi

Albina Selmanaj

Dimri është një nga stinet më të ftohta të vitit, në këtë periudhë të shpeshta janë gripet dhe viruset që paraqiten në numër të madh ose në formë epidemie gjatë kësaj stine. Gripi paraqet një sëmundje akute të rrugëve të frymëmarrjes të cilën e shkakton virusi i influencës të tipit A dhe B.

Meqë gripi është një problem i shpeshtë shëndetësor gjatë kësaj periudhe, Familjajonë ka intervistuar doktoreshen, Donika Pasha Kërleshi e cila ka dhënë më shumë detaje rreth simptomave dhe problemeve që mund të na shkaktojë gripi sezonal.

Kërleshi, ndër të tjera foli edhe për grupet që rrezikohen më së shumti nga gripi sezonal , kohzgjatjen e tij dhe po ashtu përmendi disa mënyra se si të shërohemi më shpejtë. Ajo tha që një të sëmuri me grip sezonal i duhet një ambient i ngrohtë, i ajrosur si dhe konsumimi i lëngjeve dhe ushqimit të shëndetshëm. Tutje, doktoresha tregoi edhe për komplikimet që mund të sjellë ky grip sidomos për personat me sëmundje të zemrës dhe për ata që trajtohen me me terapi imunosupresive.

Cilët janë shkaktarët e gripit sezonal?

Gripi sezonal shkaktohet nga virusi i Influenza A, i cili ndërron strukturën e tij çdo 2 deri 3 vjet. Gjatë kohës së gripit përveç virusit të influenza A, lajmërohen edhe patologjitë virale të tjera si rinovirusët, virusi syncytial respirator, parainfluenza, adenovirusi dhe në vitet e fundit edhe SARCoV2.

 Sa zgjat gripi sezonal ?

Periudha e inkubacionit të sëmundjes është 18 deri 72 orë, kurse personi është infektues 3 deri 5 ditë nga fillimi i sëmundjes.

Cili grup preket më shumë nga ky grip?

Më të rrezikuar nga gripi janë fëmijët më të vegjël se 5 vjeç, personat e moshuar, shtatzënat. Gripi rrezikon shëndetin e personave me sëmundje të zemrës, të veshkave, të sëmurëve kronik të sistemimit respirator, si dhe personave me diabet melit, personat me sëmundje malinje, personat që trajtohen me terapi imunosupresive si dhe kortikosteroide. Bartja e virusit të gripit bëhet me rrugë respiratore përmes spërklave të personit të infektuar gjatë kollitjes dhe teshtitjes, por edhe përmes duarve me prekjen e gjësendeve të kontaminuara me virus.

Cilat janë disa nga simptomat e gripit sezonal?

Gripi sezonal ne aspektin klinik karakterizohet me ngritje të temperaturës trupore mbi 38 °C, ethe, dhimbje të kokës, dhimbje muskulare të gjeneralizuar të muskujve, dhe lodhje. Ditën e dytë të sëmundjes i sëmuri ka dhimbje fyti, frymëmarrje të vështirësuar, kollë, rrjedhje hundësh. Te fëmijët janë prezent shpesh herë edhe simptomat gastrointestinale si mundim, vjellje, diare, dhimbje barku dhe humbje të apetitit. Simptomat te gripi i pa komplikuar zgjasin deri në 7 ditë, e kollitja deri në 2 javë. Por, në disa raste virusi i gripit mund të sjell komplikime. Komplikimet më të shpeshta janë: pneumonia, inflamacioni i veshit dhe sinuseve si dhe komplikime në sistemin kardiovaskular si miokardit, perikardit.

 Cila është mënyra më e shpejtë për t’u shëruar nga gripi sezonal?

Gripi sezonal i pa komplikuar nuk kërkon trajtim specifik. Përdoren analgjetikët për qetësimin e dhimbjeve dhe temperaturës. Duhet ambient i ngrohtë, i ajrosur si dhe konsumimi i lëngjeve dhe ushqimit të shëndetshëm. Komplikimet e gripit duhet të trajtohen me kujdes nga profesionistët shëndetësor.

Si mund ta parandalojmë gripin sezonal?

Parandalimi i gripit bëhet me aplikimin e masave higjienike dhe vaksinimit. Masat higjienike janë: larja e duarve, gjatë kollitjes dhe teshtitjes të mbrohemi me aplikimin e pecetave higjienike dhe hedhja e tyre, ajrosja e ambienteve dhe shmangja e kontakteve me persona të infektuar. Vaksinimi për gripin aplikohet për më tepër se 60 vjet. Përsëritet në baza vjetore. Sipas “WHO”, vaksinimi për gripin rekomandohet te: gratë shtatëzanë, fëmijët e moshës 6 muaj deri 5 vjet, të moshuarit në moshë mbi 65 vjet, te personat me sëmundje kronike si dhe te punëtorët shëndetësor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë