Trajtimi në kohën e duhur i sëmundjeve ka shumë rëndësi, por në radhë të parë më i rëndësishëm është parandalimi i tyre.
Sipas protokolleve të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), ekzaminimet rutinë janë pjesë themelore e parandalimit të sëmundjeve (profilaksisë).
Ekzaminimet janë të rëndësishme pasi ndihmojnë në zbulimin e hershëm të këtyre sëmundjeve.
Kolesteroli
Kolesteroli i lartë rrit mundësinë e zhvillimit të arteriosklerozës (krijimi i pllakave sklerotike në arterie).
Qëllimi është të diagnostikohet dhe të trajtohet që kur është në gjendje të heshtur përpara se të ndodhin komplikacionet. Të gjithë të rriturit mbi 20 vjeç (si meshkuj dhe femra) duhet t’i kryejnë këto teste të paktën çdo 5 vjet (pa pasur shenja klinike), por ato mund të kryhen edhe më shpesh nëse ka faktorë rreziku për sëmundje zemre, ose të enëve të gjakut.
Hipertensioni
Hipertensioni mund të shkaktojë dëmtime të arterieve (arterioskleroza) që mund të çojë në sulme në zemër, goditje në tru dhe dëmtim të veshkave.
Studimet pohojnë se trajtimi në kohë i hipertensionit arterial dhe në mënyrë të veçantë parandalimi i tij do të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të veshkave.
Diabeti tip 2
Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë tek të rriturit ndërmjet 20-75 vjeç, shkaku kryesor i insuficiencës renale, i amputimeve të ekstremiteteve që nuk lidhen me dëmtimet. Diabetikët janë dy herë më të rrezikuar për atak në zemër se ata që nuk kanë diabet.
Kanceri i zorrës së trashë
Kanceri i zorrës së trashë është i shërueshëm nëse hiqet përpara se të metastafazojë. Të gjithë të rriturit e shëndoshë mbi 50 vjeç duhet të kryejnë ekzaminimet e gjakut okult (prania e gjakut në feçe) dhe ekzaminimin kolonoskopik çdo 5 ose 10 vjet (sipas rastit).
Kanceri i prostatës
Trajtimi i hershëm i kancerit të prostatës mund të ndalojë rritjen e tumorit, mund të parandalojë përhapjen e tij në organet e tjera (metastazat), por mund të çojë edhe në shërimin e tij. Megjithatë, shumë njerëz të moshuar mund të vuajnë për shumë vite nga kanceri i prostatës dhe të kenë komplikacione të rënda nga kushtet vështira që krijohen pas trajtimit me kimioterapi, hormonoterapi, radioterapi, kirurgji që mund të rrezikojnë edhe jetën.
Kushtojini vëmendje shenjave që organizmi ua jep, mos i injoroni ato ngase mund të paralajmërojnë një mori sëmundjesh. Bëjini kontrollat shpesh në mënyrë që të jeni një hap para për parandalimin e tyre./Familja Jonë