Sipas përkufizimit, qumështi është një lëng i pasur me lëndë ushqyese që prodhohet nga gjitarët femra për të ushqyer të vegjlit e tyre. Ai është i mbushur me vitamina dhe minerale dhe është një burim shumë i mirë proteine. Pirja e qumështit mund të jetë e dobishme për kockat dhe madje edhe për kontrollin e peshës.
Qumështi është konsumuar në mbarë botën prej mijëra vitesh. Llojet më të përdorura vijnë nga lopët, delet dhe dhitë, ndërsa në vendet perëndimore konsumohet më shpesh qumështi i lopës.
Konsumimi i qumështit shpesh diskutohet shumë në fushën e ushqyerjes, ndaj mund të pyesni veten nëse është i dobishëm apo i dëmshëm.
Më poshtë gjeni 5 përfitime të mbështetura nga kërkimet shkencore për t’ju ndihmuar të vendosni nëse qumështi është zgjedhja e duhur për ju.
1. Qumështi është i pasur me lëndë ushqyese
Profili ushqyes i qumështit është mbresëlënës. Vetëm një gotë qumësht i plotë (rreth 244 g) përmban:
• 146 kalori
• 8 g proteinë
• 8 g yndyrë
• 28% të dozës së rekomanduar ditore për kalciumin
• 24% për vitaminën D
• 26% për riboflavinën B2
• 18% për vitaminën B12
• 10% për kaliumin
• 22% për fosforin
• 13% për selenin
Qumështi është burim i shkëlqyer vitaminash dhe mineralesh që shumë njerëz nuk i marrin mjaftueshëm në dieta të përditshme. Ai ofron kalcium, B12, kalium dhe vitaminë D, por gjithashtu është i pasur me vitaminë A, magnez, zink dhe vitaminë B1.
Për më tepër, qumështi është burim shumë i mirë i proteinave dhe përmban qindra acide yndyrore të ndryshme, duke përfshirë acidin linoleik të konjuguar (CLA) dhe omega 3, të cilat lidhen me rrezik më të ulët të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Vlerat ushqyese të qumështit ndryshojnë sipas nivelit të yndyrës dhe ushqimit të lopës. Qumështi i lopëve të ushqyera me bar ka më shumë omega 3, CLA dhe antioksidantë si vitamina E dhe beta karoteni.
2. Është burim i mirë proteine me cilësi të lartë
Një gotë qumësht përmban rreth 8 gramë proteinë. Proteina është e nevojshme për rritje, zhvillim, rikuperim qelizor dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Qumështi konsiderohet proteinë e plotë, sepse përmban të nëntë aminoacidet esenciale që trupi ka nevojë për të funksionuar si duhet.
Dy llojet kryesore të proteinave në qumësht janë kazeina dhe proteina hirrë. Kazeina përbën rreth 70 deri në 80 për qind të proteinës, ndërsa hirra pjesën tjetër.
Proteina hirrë përmban aminoacide të degëzuara si leucina, izoleucina dhe valina, të cilat ndihmojnë në rritjen e masës muskulore, parandalimin e humbjes së muskujve dhe furnizimin me energji gjatë aktivitetit fizik.
Pirja e qumështit lidhet me më shumë masë muskulore dhe funksion fizik më të mirë te të moshuarit. Po ashtu, studimet te atletët tregojnë se qumështi pas stërvitjes ndihmon në rikuperimin e muskujve, uljen e dëmtimit muskulor dhe rritjen e forcës.
3. Qumështi ndihmon shëndetin e kockave
Qumështi është shoqëruar prej kohësh me ndërtimin e kockave të forta. Ai përmban kalcium, fosfor, kalium, proteinë dhe vitaminë K2 (në produktet full fat të lopëve të ushqyera me bar).
Rreth 99 për qind e kalciumit në trup gjendet në kocka dhe dhëmbë, ndaj marrja e tij nëpërmjet ushqimit është esenciale.
Qumështi ofron edhe vitaminë D, vitaminë K, fosfor dhe magnez, të cilat ndihmojnë trupin të përthithë kalciumin si duhet. Studimet tregojnë se konsumimi i rregullt i qumështit mund të ulë rrezikun e osteoporozës dhe frakturave, sidomos te të moshuarit.
Proteina në qumësht është gjithashtu e rëndësishme për kockat, pasi përbën gjysmën e vëllimit të tyre.
4. Ndihmon në parandalimin e shtimit në peshë
Disa studime e lidhin qumështin, veçanërisht qumështin e plotë, me rrezik më të ulët obeziteti.
Në një studim me fëmijë 3-vjeçarë, marrja më e lartë e yndyrës së qumështit lidhej me rrezik më të ulët mbipeshë. Studime të tjera te gratë e moshave të mesme dhe të moshuara treguan se konsumimi i produkteve të bulmetit me yndyrë të lartë lidhej me më pak shtim në peshë.
Qumështi ndihmon në kontrollin e peshës për disa arsye:
• Proteina ju mban të ngopur më gjatë.
• CLA në qumësht mund të ndihmojë në shpërbërjen e yndyrës dhe reduktimin e prodhimit të saj.
• Dietat e pasura me kalcium lidhen me rrezik më të ulët mbipeshë, pasi kalciumi ndihmon në shpërbërjen e yndyrës dhe kufizimin e përthithjes së saj.
5. Qumështi është përbërës i shumëpërdorshëm
Përveç pirjes, ju mund ta shtoni qumështin në mënyra të ndryshme:
• Smoothie të shëndetshme me proteina të larta
• Të përgatisni tërshërën në mëngjes
• T’i shtoni kafenë ose çajin
• Ta përdorni në supa për shije më të pasur
• Ta kombinoni me fruta ose drithëra të ndryshme
Nëse nuk ju pëlqen qumështi, produktet e tjera të bulmetit si kosi natyral kanë profil të ngjashëm ushqyes.
Qumështi nuk është për të gjithë
Disa njerëz nuk mund ta tresin qumështin për shkak të intolerancës ndaj laktozës, e cila prek rreth 65 për qind të popullsisë botërore. Të tjerë zgjedhin të mos konsumojnë bulmet për arsye shëndetësore, dietike ose etike.
Për këtë arsye ekzistojnë shumë alternativa pa bulmet, si:
• Qumësht bajamesh
• Qumësht kokosi
• Qumësht arrash kajsie
• Qumësht soje
• Qumësht kërpi
• Qumësht tërshëre
• Qumësht orizi
Kur zgjidhni një qumësht bimor, kontrolloni etiketat. Shumë prej tyre kanë sheqer të shtuar, aromatizues ose përbërës të panevojshëm. Zgjidhni varietete pa sheqer të shtuar me sa më pak përbërës.












