Qeveria meksikane njoftoi të dielën se të paktën 44 persona kanë vdekur në Meksikë pas ditësh me reshje të dendura dhe përmbytje të rrëmbyeshme, raporton Reuters.
Reshjet e rrëmbyeshme që erdhën si pasojë e stuhive tropikale Priscilla dhe Raymond shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje në pesë shtete.
Sipas një deklarate zyrtare, 18 persona humbën jetën në shtetin Veracruz, 16 në Hidalgo, nëntë në Puebla dhe një në Queretaro.
Qeveria po zbaton një plan reagimi për të ndihmuar 139 qytete të prekura. Fotot e publikuara nga ushtria meksikane tregojnë njerëz që po evakuohen nga ushtarët me varka shpëtimi, shtëpi të mbuluara me baltë dhe punonjës shpëtimi që ecin nëpër rrugë të mbuluara me ujë deri në bel.
“Po vazhdojmë me përballimin e emergjencës në Veracruz, Hidalgo, Puebla, Queretaro dhe San Luis Potosí, në bashkëpunim me guvernatorët dhe autoritetet e ndryshme federale. Komiteti Kombëtar i Emergjencave është në mbledhje të përhershme,” tha presidentja Sheinbaum në platformën X. /Reuters/













