Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dekoruar tetë zyrtarë policorë me Medalje për Shpëtim Jete.
Sipas Policisë së Kosovës, kjo është bërë në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetës njerëzore, duke reflektuar vlera të larta humane, përgjegjësi institucionale dhe gatishmëri për t’u vënë në shërbim të qytetarëve në çdo rrethanë.
“Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane, të cilat ndërveprojnë me detyrën dhe përgjegjësinë zyrtare” njoftohet të ketë thënë ministri Sveçla.
Ndërsa, sipas njoftimit të policisë, Drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, vlerësoi lart veprimin e zyrtarëve policorë, si një akt i jashtëzakonshëm guximi, një nivel i lartë profesionalizmi dhe mbi të gjitha një humanizëm i pastër i tetë zyrtarëve policorë.
“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por ajo bart mbi vete një peshë të madhe të përgjegjësisë, një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer në çdo rrethanë ndaj qytetarëve dhe vendit, pavarësisht rreziqeve që mund të kanosen”, theksoi Hoxha.













