Shkruan: Krenare Hoti
Skolioza idiopatike është një ndër çrregullimet më të shpeshta të shtyllës kurrizore, që prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët gjatë periudhave të rritjes.
Në këtë intervistë, bisedojmë me fiziatren, Prof. Asoc. Dr. Teuta Osmani Vllasolli, e cila na shpjegon faktorët që lidhen me këtë gjendje, metodat e diagnostikimit dhe qasjet bashkëkohore në trajtim, me qëllim ndërgjegjësimin dhe identifikimin sa më të hershëm të saj.
Intervista e plotë:
- Çfarë është skolioza idiopatike dhe si dallohet nga llojet e tjera të skoliozës?
Skolioza përkufizohet si devijim anësor i shtyllës kurrizore më i madh se 10°, i matur me metodën Cobb. Ajo ndahet në skoliozë funksionale dhe strukturore. Skolioza funksionale është e përkohshme dhe shkaktohet nga sjellja e gabuar, pabalancimi muskulor, diferenca në gjatësinë e këmbëve ose dhimbjet. Ndërsa skolioza strukturore është deformim tre-dimenzional i shtyllës kurrizore, shpesh i shoqëruar me deformim të kafazit të krahërorit.
Sipas AAOS dhe SRS, skolioza strukturore ndahet në tre tipe:
- Kongjenitale – nga defektet e lindura në formimin e unazave të shtyllës (5–7%).
- Neuromuskulare – shfaqet në sëmundje të muskujve dhe nervave, përparon shpejt dhe është më e rëndë (rreth 5%).
- Idiopatike – forma më e shpeshtë (85%), me shkak të panjohur. Dyshohet ndikimi i faktorëve gjenetikë, hormonalë dhe ndryshimeve në indet lidhore. Etiologjia e saj konsiderohet multifaktoriale.
2. Në cilat grupmosha paraqitet më shpesh kjo gjendje?
Skolioza si deformitet mund të zhvillohet në të gjitha moshat gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Në bazë të moshës së shfaqjes së skoliozës dallojmë tri grupe të skoliozës idiopatike:
Skolioza infantile -që zhvillohet te fëmijë të moshës infantile 0-2 vjeçe;
Skolioza juvenile – fëmijë të moshës juvenile 3-9 vjeçe;
Skolioza adoleshente – fëmijë të moshës adoleshente 10-18 vjeçe;
Zhvillimi më evident i skoliozës brenda këtyre grup-moshave është në periudhat e rritjes më të hovshme, ku te mosha infantile kjo periudhë është në muajt e parë të jetës, përgjithësisht ndërmjet muajit të 6-të dhe 24-të, te mosha juvenile ndërmjet moshës 5 dhe 8 vjeçare, derisa te mosha adoleshente, që njëherit paraqet periudhën e rritjes më të hovshme të fëmisë, përgjithësisht ndërmjet moshës 11 dhe 14 vjeçare.
3. Cilat janë simptomet dhe shenjat e skoliozës idiopatike?
Skolioza ka një nismë të heshtur. Ajo te fëmijët nuk është e përcjellur me dhembje, eventualisht në disa raste mund të ankohen në një diskomforitet, pas aktivitetit të shtuar fizik.
Arsyeja që pacientët i shtynë të lajmërohen te mjeku është se prindërit vërejnë shenjat e asimetrisë, në trungun e fëmisë së tyre. Asimetria përfshinë brezin e supeve ku zakonisht supi i anës konvekse të lakesës skoliotike është më i lartë, si edhe shpatulla e asaj ane është më e ngritur, derisa te brezi i komblikut kocka ijore e anës konkave të lakesës skoliotike është më e lartë. Në gjendje më të avansuara mund të vërehet edhe devijim anësor i krarhërorit me ngritje më të shprehur nga ana konvekse e lakesës skoliotike, që te lakesat me ashpërsi më të vogël vërehet vetëm gjatë përkuljes së trupit.

Marrë nga: https://spinesurgery.com/conditions/adolescent-idiopathic-scoliosis
Këto shenja vërehen kryesisht kur skolioza është e njëfisht (si në foto) dhe me majë të lakesës skoliotike në nivel të unazave të krahërorit (unazat torakale – Th), por maja e lakesës mund të ketë lokalizim edhe në pjesën e unazave të qafës (unazat cevikale – C) , në kalimin nga unazat e qafës në atë të krahërorit (C/Th), pastaj edhe në pjesën e poshtme të shpinës (unazat lumbale-L) si dhe në kalimin nga unazat torakale në ato lumbale (Th/L). Derisa i dy apo më tepër nga këto lakesa jep skoliozë të dyfisht apo shumëfisht.
SRS ka dhënë klasifikimin, sipas së cilës vendndodhja e majës për lakesat mbi 10°, përcakton llojet e lakesave duke përfshirë: pa lakesa (< 10°), lakesa të njëfishta (një lakesë të vetme torakale maja Th5-Th11/12 dhe lumbale maja nën unazën Th12) lakesa të dyfishta ( e epërmja Th dhe poshtmja Th/L ose L), dhe lakesa të tjera (duke kombinuar një torakale të epërm,e të vetme, me maje mbi Th5 dhe torakale të dyfishtë me maje mbi Th11/12, ose lakesa të trefishta ose të katërfishta, me 3 ose 4 maje.
4. Si diagnostikohet skolioza idiopatike?
Diagnostikimi i skoliozës fillon me ekzaminim klinik nga ortopedi ose fiziatri, duke vëzhguar qëndrimin e trupit dhe duke palpuar strukturat e trungut. Kryhen teste të përgjithshme si matja e gjatësisë së gjymtyrëve, vlerësimi i lëvizshmërisë së nyjeve, forcës muskulare dhe balancit. Testi specifik kryesor është Testi i Adams-it, ku gjatë përkuljes përpara vërehet ngritja asimetrike e kafazit të krahërorit. Për të matur shkallën e rrotullimit përdoret skoliometri. Nëse vërehet devijim, kryhet radiografia e shtyllës kurrizore, e cila konfirmon diagnozën dhe mat shkallën e devijimit me këndin Cobb. Radiografia përsëritet zakonisht çdo 6 muaj për të përcjellë progresin, sidomos gjatë rritjes. Me radiografi vlerësohet edhe pjekuria kockore sipas Shenjës së Risser-it, për të kuptuar sa potencial rritjeje ka ende pacienti. Për monitorim ndërmjet radiografive mund të përdoren metoda jo-rrezatuese si topografia e shpinës, fotografitë 2D ose matja e asimetrisë së supeve dhe gungës brinjore. Në raste të veçanta, për të përjashtuar shkaqe të tjera (si tumore ose anomali kongjenitale), mund të kërkohet MRI ose CT.
5. Çfarë duhet ndërmarrur për identifikimin e hershëm të skoliozës idiopatike?
Shoqata Shkencore Ndërkombëtare për Trajtimin Ortopedik dhe Rehabilitues të Skoliozës (SOSORT), bazuar në hulumtime të shumta që janë bërë në këtë sferë, rekomandon që të aplikohen programe screening (vlrësimi) në shkolla,meqë kjo paraqetmënyrën më efikase për diagnostikimin e hershëm të skoliozës idiopatike. Përmes matjeve fillestare të përgjithshme, për të pasuar pastaj me ekzaminime klinike të ekspertëve si dhe ekzaminimin eventual radiografik, deformiteti mund të zbulohet herët dhe të trajtohet me efikasitet më të madh për t’iu shmangur progredimit të skoliozës.
6. A mund të parandalohet skolioza?
Përderisa shkaktarët e skoliozës ende nuk dihen saktësisht, vështirë mund të thuhet se mund të parandalohet. Në rastet kur skolioza idiopatike është trashëguar, atëherë skriningu i hershëm dhe tretmani mund të ndihmojnë në prevenimin e përkeqësimit të lakesës skoliotike, por pacientëve nuk mund tu ndërohet gjenetika
7. Në cilat raste nevojitet ndërhyrja kirurgjike?
Si hap i fundit në trajtim të skoliozës është ndërhyrja kirurgjike, kur këndi i lakesës skoliotike i tejkalon 40° – 45°, të matur sipas Cobb-it. Ndonëse SOSORT, bazuar në të dhënat nga hulumtimet që janë bërë, rekomandon që për t’iu shmangur intervenimit kirurgjik, të aplikohet korseti rigjid, shumë i fortë (gips), për të trajtuar pacientët me lakesa midis 45° dhe 60°, i cili duhet të bartet gjithsesi për 23 orë. Por, në lakesat skoliotike është mbi 60°, gjithsesi se duhet të bëhet intervenimi kirurgjik, kur pacientët mund të kenë të kompromituar funksionet vitale, si vështërsi në frymëmarrje.
8. Çfarë probleme shëndetësore të mëvonshme mund të paraqiten për shkak të skoliozës?
Problemet e mëvonshme nga skolioza janë të ndërlidhura nga shkalla dhe lokalizimi i lakesës skoliotike. Në përgjithësi pacientët me lakesë skoliotike deri në 30° kanë rrezikshmëri për dhimbje të shpindës pothuajse sikur ata pa skoliozë, por mund të kenë diskomforitet psiqik për shkak të ndryshimeve estetike. Pacientët me lakesë të patrajtuar deri në 50°, kanë gjasa të kenë dhimbje kronike me mundësi të shfaqjes së hernisë diskale më heret se normalisht, si dhe probleme më të shprehura për shkak të pamjes fizike. Ata eventualisht mund të kenë edhe vështërsi në frymëmarrje dhe organe tjera vitale si zemra, për shkak të deformitetit të madh të kafazit të krahërorit, që i ngushton hapësirën funksionale këtyre organeve.












