Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24 orëve të fundit, në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet e raportuara më 30 dhe 31.10. 2026 përfshijnë dhunë fizike e psikike, kanosje dhe ofendime mes familjarëve.
Në Prishtinë, më 31.10.2026, rreth orës 03:50, është arrestuar një person i dyshuar për dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë, i dyshuari, në gjendje të dehur, dyshohet se kishte përdorur fjalë ofenduese ndaj bashkëshortes në banesën e tyre. Viktima, me dëshirën e saj, është kthyer në banesë te fëmijët, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër në Prishtinë është raportuar po më 31.10.2026, rreth orës 09:00. Sipas Policisë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me shitjen e një pajisjeje për pastrimin e pishinës, një person dyshohet se është kanosur dhe ofenduar nga djali i tij. I dyshuari ende nuk është hasur nga Policia. Prokurori është njoftuar dhe ka udhëzuar që të iniciohet lënda për veprën e cekur, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Në Podujevë, më 31.10.2026, rreth orës 14:20, është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht motrën e bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Edhe në Viti është raportuar një rast i dhunës në familje. Sipas Policisë, më 30.10.2026 rreth orës 23:30, një person dyshohet se është kanosur nga djali i tij, pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, Policia ka raportuar dy raste të ndara. Në rastin e parë, të regjistruar më 31.10.2026, rreth orës 13:00, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi i shkakton dhunë fizike dhe psikike, ndërsa ajo dyshohet se është kanosur edhe nga vjehrri i saj.
Me vendim të prokurorit është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarve. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje valide për armë.
Të dy të dyshuarit janë arrestuar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë në Pejë, Policia ka raportuar se një grua dyshohet se në vazhdimësi është përballur me dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i cili, sipas raportit, e kishte kanosur me fjalë të ndryshme. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Deçan, më 31.10.2026, rreth orës 02:30, është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike ndaj familjarëve të tij.
Burimi: Kallxo.com












