28 gra fermere në Mitrovicë kanë përfituar pajisje bujqësore, në kuadër të një projekti që synon mbështetjen dhe fuqizimin e grave në sektorin e bujqësisë.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se shpërndarja e pajisjeve është bërë gjatë një ceremonie të organizuar për 28 gratë fermere nga organizata UN FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi), në partneritet me UN Women dhe e financuar nga ADA (Agjencia Austriake për Zhvillim).


Sipas tij, kjo mbështetje synon të ndihmojë gratë që merren me bujqësi, duke rritur kapacitetet e tyre prodhuese dhe duke forcuar rolin e tyre në zhvillimin ekonomik lokal.
Peci po ashtu është zotuar se vitin e ardhshëm do të rritet buxheti për bujqësi për 100 për qind, ndërsa fokusi do të jetë në sektorët që merren me prodhimtari.
“Përfshirja e grave fermere në bujqësi e fuqizon rolin e gruas në shoqëri dhe ndikon drejtpërdrejt në ekonomi.” është shprehur kreu i Komunës së Mitrovicës.













