Nën moton “Infermierët tanë. E ardhmja jonë. Infermierë të fuqizuar shpëtojnë jetë.”, sot më 12 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, një ditë e veçantë dedikuar infermierëve për të vlerësuar dhe nderuar kontributin e tyre të çmuar në shërbim të pacientëve dhe komunitetit.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Drejtoria e Shëndetësisë së Kryeqytetit me menaxhmentin e QKMF-së, organizuan një sërë aktivitetesh përfshirë ligjërata profesionale, aktivitete në sheshin e Kryeqytetit me ofrim të sherbimeve dhe këshillave edukativo-shëndetësore si dhe eventi qëndror kushtuar infermierëve të KPSH-së.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare u organizua një takim profesional ku morrën pjesë Drejtori i DSH-së Dr.Bujar Gashi, menaxhmenti i QKMF-së, Zyrtarët për Shëndetësi, infermierët, mjekët, profesionistët shëndetësor dhe të ftuar të tjerë, me ç’rast u shprehën falënderime dhe vlerësime për përkushtimin, sakrificën dhe kujdesin human të infermierëve kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
Po ashtu, trajnerja e QTIF-së znj. Gjyle Mexhuani gjatë këtij takimi prezantoi punën dhe aktivitetet e realizuara në kuadër të ZHVP-së, si dhe aktivitetet e shumta edukativo-shëndetësore të zhvilluara për pacientët dhe komunitetin.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, aktivitete u zhvilluan edhe në sheshin” Skënderbeu” në Kryeqytet, ku profesionistët shëndetësorë ofruan këshilla të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shëndetit. Gjatë aktivitetit, një numri të madh të qytetarëve iu realizua matja e tensionit arterial, parametrave vital,matja e glikemisë, si dhe u shpërndanë materiale edukativo-shëndetësore me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit shëndetësor të qytetarëve.
Drejtoria e Shëndetësisë së Kryeqytetit me menaxhmentin e QKMF-së, organizuan një ceremoni solemne në këtë ditë të vecant me infermierë, mami, profesionistë të tjerë të shëndetit dhe pjesëmarrës të tjerë e dedikuar për ndarjen e mirënjohjeve për infermierët e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kryeqytet dhe njëherit falenderim për gjithë infermerët dhe kontributin e tyre të çmuar. Në këtë organizim ishte nderë ta kishim prezent Nënkryetarin e Kryeqytetit z.Florian Dushi, Drejtorin e DSh-së së Kryeqytetit Dr.Bujar Gashi, Kryetarën e Odës së Infermierëve znj. Nexhmije Gori, Kryeinfermieria e QKMF-së znj.Merita Bajraktari Kongjeli, z.Drilon Morina Kryeinfermierë i Poliklinikës Stomatologjike, të cilët shprehën nderim, respekt dhe mirënjohje të thellë për punën e palodhur të infermierëve që bëjnë cdo ditë në ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientët dhe qytetaret tanë.
Në këtë ditë të shënuar Drejtori i DSH-së Dr.Bujar Gashi dhe Nënkryetari i Kryeqytetit z.Florian Dushi me respekt dhe nderim ndanë mirënjohje për infermierët e KPSH-së, organizimi vazhdoi me interpretimet muzikore nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.
Urime 12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë! Faleminderit për përkushtimin, humanizmin dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregoni çdo ditë në shërbim të pacientëve dhe shëndetin e qytetarëve.













