Sot shënohen 27 vjet nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë Clinton mbajti fjalim para popullit amerikan, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor të 1999-tës, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi Millosheviq-it.
Këto sulme të cilat kishin për qëllim të ndalnin gjenocidin dhe pastrimin etnik të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare zgjatën 78 ditë, duke përfunduar më 10 qershor të po atij viti, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkaq, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik më 17 shkurt 2008.
Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpërndarë fjalimin e Presidentit Clinton dhe njëkohësisht është shprehur se “Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë.”
“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi.
Kosova nuk harron.” ka shkruar Osmani në profilin e saj zyrtar në Facebook.
Lufta e viteve 1998–1999 në Kosovë filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmit të forcave serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Në këtë luftë janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.













