Rastet e operimit të luksacionit të krahut me metodën e artroskopisë, janë publikuar në revistën amerikane “Arthroscopy: The Journal of Arthroscopic and Related Surgery”.
Autori Kushtrim Grezda, specialist i ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar për publikimin e editorialit të tij në revistën prestigjioze amerikane “Arthroscopy: The Journal of Arthroscopic and Related Surgery”.
Në këtë publikim është prezantuar metoda e re për trajtimin artroskopik tek pacientët që kanë luksacion të supit apo siç njihet në popull dalje e krahut nga vendi. Studimi fillestar që është realizuar nga autorë Ortoped Turq dhe Italian, është sfiduar për saktësinë e tij ku me rastet që janë operuar ne Kosovë është plotësuar i njëjti studim.
“Rezultatet tona tregojnë se kjo qasje jo vetëm që redukton kohën e operimit, por gjithashtu ofron rezultate klinike të krahasueshme me metodat e deritanishme. Kjo metodë më e thjeshtë mund të ndihmojë në përshpejtimin e rikuperimit dhe minimizimin e rrezikut të komplikacioneve për pacientët që vuajnë nga instabiliteti i krahut”, ka thënë Grezda.
Ai ka thënë se niveli i shërbimeve ortopedike të artroskopisë në Kosovë është i njëjti me nivelin botëror.
“Fakti që ne kemi arritur të sfidojmë dhe plotësojmë studime të karakterit ndërkombëtar dhe ti publikojmë ato në gazetën shkencore më prestigjioze të Artroskopisë në botë, tregon që niveli i shërbimeve Ortopedike në lëminë e Artroskopisë në vendin tonë është i krahasueshëm me nivelin botërorë”, ka thënë Grezda.
Linku i publikimit në revistë: https://www.arthroscopyjournal.org/article/S0749-8063(25)00176-8/fulltext













