Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu ka qenë e ftuar në emisionin “Familja Jonë”, ku ka folur më gjerësisht për rëndësinë që ka prania e prindërve në jetën emocionale dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Gjatë intervistës, ajo theksoi se përkushtimi dhe prezenca e prindërve në përditshmërinë e fëmijëve ka ndikim të madh në mirëqenien e tyre emocionale, duke shtuar se fëmijët kanë nevojë më shumë për afërsi, vëmendje dhe komunikim sesa për gjëra materiale.
Sipas saj, në kohën kur ritmi i jetës është bërë më i ngarkuar dhe prindërit shpesh përballen me obligime të shumta, është shumë e rëndësishme që fëmijët të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe emocionalisht të mbështetur nga prindërit e tyre.
“Fëmijët kanë nevojë për prezencë. Kudo që jeni me fëmijët, nëse jeni prezent në jetën e tyre, nëse jeni aty për t’i dëgjuar ata se nëpër çka po kalojnë, pak ka rëndësi vendi”, thotë ajo.
Psikologia vlerëson se lidhja emocionale mes prindërve dhe fëmijëve ndërtohet përmes momenteve të vogla të përditshmërisë, duke kaluar kohë së bashku, përmes bisedave, aktiviteteve familjare dhe vëmendjes që u kushtohet fëmijëve.
Ajo thekson se harmonia familjare nuk lidhet domosdoshmërisht me luksin apo mundësitë financiare, por me atmosferën që krijohet brenda familjes dhe ndjenjën e sigurisë që fëmijët marrin nga prindërit.
“Natyrisht këto rekreacionet, shëtitjet janë të mirëseardhura, e ndërrojnë energjinë e familjes, por nuk i bëjnë më pak të lumtura familjet të cilat nuk kanë mundësi ndoshta për udhëtime. Ata mund të jenë të lumtur edhe në ambientin ku i kanë prindërit, janë duke parë një film aty në ambientin e shtëpisë, duke pirë një çaj, janë duke bërë një bisedë të mirë ose një lojë, por prezenca e prindërve në jetën e fëmijës është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, thotë ajo.
Tutje, ajo foli edhe për ndikimin që kanë stresi, ankthi dhe presioni i përditshëm në shëndetin emocional të individit, duke treguar se këto gjendje mund të ndikojnë jo vetëm në mirëqenien psikologjike por edhe në kujtesë, koncentrim dhe funksionimin e përgjithshëm të trupit.
Në intervistë, psikologia ndau edhe këshilla praktike se si njerëzit mund të ndërtojnë një jetë më të balancuar emocionalisht, të jenë më të kujdesshëm ndaj vetes dhe të krijojnë marrëdhënie më të shëndetshme me familjen dhe rrethin e tyre.
Ajo foli gjithashtu për vetkritikën dhe mënyrën se si ajo ndikon në vetëbesimin dhe gjendjen emocionale të njeriut, duke theksuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe pranimit të vetvetes.
Intervistën e plotë me psikologen Antigona Qenaj Sejdiu, ku ajo trajton më gjerësisht temën se pse disa persona nuk ndihen të lumtur edhe kur duket se i kanë të gjitha, mund ta ndiqni në videon më poshtë.













