Gjatë përgatitjes së ushqimit në kuzhinë, higjiena dhe mënyra e trajtimit të produkteve ushqimore luajnë rol kyç në parandalimin e infeksioneve dhe helmimeve ushqimore. Një nga gabimet më të shpeshta që bëhet në përditshmëri është përdorimi i të njëjtave vegla kuzhine për mishin e papërpunuar dhe për ushqimet e tjera të gatshme për konsum.
Gastroenterologu dhe internisti Avni Haziri ka shpjeguar në emisionin “Familja Jonë” se kjo praktikë duhet të shmanget rreptësisht, pasi rrit rrezikun e përhapjes së baktereve nga mishi i papërpunuar te ushqimet e tjera.
Sipas tij, nuk duhet të përdoret e njëjta thikë me të cilën është prerë mishi për të prerë edhe perime, sallata apo ushqime të tjera që konsumohen pa u gatuar më tej, pasi kjo mund të çojë në kontaminim të kryqëzuar.
Përveç thikës, mjeku thekson se edhe dërrasa e prerjes është një tjetër burim i mundshëm i përhapjes së baktereve dhe duhet të pastrohet me kujdes pas përdorimit, ose të përdoret e ndarë për mishin dhe për ushqimet e tjera.
“Edhe dërrasën aty ku e presim mishin duhet ta pastrojmë për arsye se mishi mund të jetë i kontaminuar me ndonjërën prej baktereve.”
Ai shton se këto rregulla të higjienës në kuzhinë vlejnë jo vetëm për mishin e kuq, por edhe për peshkun, i cili gjithashtu mund të përmbajë mikroorganizma dhe parazitë të ndryshëm.
“Ata (peshqit) mund të mbajnë infeksione por edhe parazitë mbajnë shumë. Për atë duhet të kemi kujdes që t’i gatuajmë mirë,” shpjegon Avni Haziri.
Një tjetër pikë e rëndësishme që thekson mjeku lidhet me mishin e e paketuar të pulës, i cili shpesh blihet në formë filetoje ose pjesësh të ndryshme. Sipas tij, ky mish nuk duhet të lahet para gatimit, por duhet të përgatitet dhe të gatuhet menjëherë.
Ai paralajmëron se larja e mishit të pulës nuk e largon rrezikun, por përkundrazi mund të kontribuojë në përhapjen e baktereve në sipërfaqe të tjera të kuzhinës.
“Sepse me pastrim vetëm përhapet më shumë salmonella ose infeksioni i cili është brenda tyre.” thotë gastroenterologu.
Shpjegimin e plotë të Avni Haziri mund ta gjeni në videon më poshtë.
Ndërsa intervista e plotë me Avni Hazirin në “Familja Jonë” ofron më shumë detaje mbi infeksionet e zorrëve, simptomat dhe shkaktarët e tyre.













