Sht, Qer 27, 2026
Banner Top
Banner Top
Pse çdo i dyti person në Kosovë ankohet për barkëqitje?!

Pse çdo i dyti person në Kosovë ankohet për barkëqitje?!

Gazetari: Gjatë verës, por edhe tani, kemi dëgjuar për raste me diarre dhe të vjella. Shumë qytetarë i kanë kaluar këto gjendje gastroenteriti në kushte shtëpie, por disa prej tyre kanë pasur nevojë për ndihmë profesionale mjekësore. Doktor, a mund të na tregoni se çfarë është gastroenteriti dhe cilat janë simptomat kryesore?

Dr.: Gastroenteriti është inflamacion i traktit gastrointestinal, që përfshin lukthin dhe zorrën e hollë. Ai shkaktohet kryesisht nga infeksione virale, bakteriale apo parazitare. Simptomat kryesore përfshijnë: diarre të shpeshtë dhe ujore, të vjella, dhimbje barku apo ngërçe, temperaturë, lodhje, humbje oreksi, dhimbje koke, dhe në raste të dehidratimit sidomos te foshnjat, të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike.

Gazetari: Në cilat periudha të vitit është më e zakonshme shfaqja e gastroenteritit?

Dr.: Gastroenteriti mund të shfaqet gjatë gjithë vitit, por varësisht nga shkaktari, stinët ndryshojnë. Në dimër, më së shumti shkaktohet nga viruset si rotavirusi dhe norovirusi, duke prekur më shumë fëmijët dhe të moshuarit, veçanërisht në vende të mbyllura si shkollat dhe çerdhet. Në verë, bakteret si Salmonella, E.coli dhe Campylobacter janë më aktive për shkak të temperaturave të larta, duke përhapur infeksione përmes ujit dhe ushqimit të kontaminuar. Pranvera dhe vjeshta kanë raste më të rralla, por sërish mund të ketë infeksione të izoluara.
Gazetari: Si trajtohen simptomat e të vjellave dhe diarresë në kushtet e shtëpisë?

Dr.: Nëse rastet janë të lehta dhe pa komplikacione, trajtimi në shtëpi është i mundur. Hidratimi është prioritet kryesor, pasi humbja e lëngjeve nga të vjellat dhe diarrea mund të çojë në dehidratim. Përdoren ujë, lëngje të holluara, ORS (solucion rehidratimi oral), si dhe çajra të lehtë si kamomili. Duhet të shmangen lëngjet me shumë sheqer, qumështi nëse irriton barkun, kafeina dhe alkooli. Ushqimi duhet të jetë i lehtë, si banane, oriz, supë pule pa yndyrë, patate të ziera, dhe tost. Duhet shmangur ushqimi i yndyrshëm, i skuqur dhe bulmetet përkohësisht.

Gazetari: A mund të përdoren medikamente në këto raste?

Dr.: Medikamentet duhet përdorur vetëm në raste të nevojshme dhe me këshillë mjekësore. Paracetamoli mund të përdoret për temperaturë dhe dhimbje, por jo ibuprofeni në rast të të vjellave apo gjakderdhjes. Probiotikët ndihmojnë në përmirësimin e florës intestinale. Antidiarreikët, si loperamidi, nuk rekomandohen në infeksione bakteriale apo tek fëmijët pa konsultë me mjekun.

Gazetari: Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?

Dr.: Ndihma mjekësore duhet kërkuar kur pacienti ka të vjella të shumta dhe të vazhdueshme, diarre me gjak ose ngjyrë të zezë, shenja të dehidrimit si gojë e thatë, mungesë urinimi, lëkurë e ftohtë, temperaturë të lartë që zgjat mbi 2 ditë, ose dhimbje të forta në bark.
Gazetari: Kur është e nevojshme terapia me infuzion (serum) dhe cilat kategori pacientësh janë më të ndjeshëm ndaj gastroenteritit?

Dr.: Terapia me infuzion përdoret kur pacienti ka dehidratim të moderuar deri të rëndë, si mungesë urinimi për më shumë se 8 orë, gojë dhe buzë shumë të thata, lëkurë të ftohtë dhe pa elasticitet, marramendje, tension të ulët dhe puls të shpejtë, si dhe të vjella të vazhdueshme që pengojnë hidratimin oral. Kategoritë më të ndjeshme janë foshnjat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Gazetari: Sa rëndësi ka higjiena personale në parandalimin e gastroenteritit?

Dr.: Higjiena personale është thelbësore për parandalimin dhe kontrollin e gastroenteritit. Larja e duarve me ujë dhe sapun pas përdorimit të tualetit dhe para ngrënies ndihmon shumë në parandalimin e përhapjes së mikroorganizmave patogjenë. Gjithashtu, duhet ruajtur pastërtia në përgatitjen e ushqimit dhe të përdoret ujë i pastër për konsum.

Gazetari: Cilat janë këshillat tuaja për pacientët që përballen me gastroenterit?

Dr.: Këshilla kryesore janë: të lajnë duart shpesh me sapun, të pinë shumë lëngje për të shmangur dehidratimin, të hanë ushqime të lehta, të shmangin ushqimet e yndyrshme, të pushojnë dhe të mos përdorin ilaçe pa këshillë mjeku. Nëse simptomat janë të rënda, duhet të konsultohen menjëherë me mjekun.

Youtube

Arkiva

Kategoritë