Mar, Mar 26, 2024
Banner Top
Banner Top
Presidenti: Të jemi të gatshëm për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme

Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme pas vdekjes së parë nga virusi korona.

Në një reagim në Fb, Presidenti ka falënderuar mjekët dhe ka kërkuar nga qytetarët të rrinë në shtëpi si masë për të parandaluar virusin COVID-19.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë. Institucionet shëndetësore i falënderoj për përkushtimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që po tregojnë në këto rrethana të rënda. Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, ka shkruar Presidenti.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë