Hën, Tet 14, 2024
Banner Top
Banner Top
Përurohet objekti i ri i ambulancave specialistike në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kanë bërë sot përurimin e objektit të ri të ambulancave specialistike në QKUK.

Një objekt modern prej 2500 metrash katrorë, i pajisur me aparaturën më moderne, tashmë është i gatshëm për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dinjitoze për deri në 1000 pacientë në ditë, trefishin e kapacitetit të kaluar.

Në përurimin e këtij objekti, ministri Ismaili tha se sot është një ditë e mirë për shëndetësinë kosovare, e cila ngadalë po lë mbrapa të kaluarën e hidhur për t’i hapur rrugë transformimit dhe modernizimit të shërbimeve mjekësore për qytetarët e Kosovës.

“Të gjithë i kemi ende të freskëta pamjet e rënda nga bodrumet e QKUK-së ku qytetarët tanë merrnin shërbime shëndetësore në ambulancat specialistike. Ai vend nuk ka qenë i denjë për trajtimin e pacientëve. Sot, jam jashtëzakonisht i lumtur që pas një pune shumë të madhe, e përuruam objektin e ri të ambulancave specialistike për të lënë mbrapa të kaluarën e hidhur. Një objekt modern prej 2500 metrash katrorë, i pajisur me aparaturën më moderne, tashmë është i gatshëm për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dinjitoze për deri në 900 pacientë në ditë”, tha ministri Ismaili.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha se transformimi i këtij objekti dhe shërbimeve shëndetësore që kanë ndodhur, është shembulli më i mirë i punës së madhe që po bëhet në shëndetësi për t’ua kthyer atë qytetarëve.

“Ndryshimet rrënjësore që po ndodhin në shëndetësinë kosovare janë më se të dukshme. Për shumë vjet, qytetarët kanë marrë shërbime specialistike nëpër bodrume të QKUK-së, në kushte aspak të dinjitetshme dhe me pritje të gjata. Të gjitha këto kanë marrë fund”, ka thënë kryetparlamentari Veseli.

Kryeparlamentari Veseli përgëzoi Ministrin Uran Ismaili për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme në transformimin e një ndër sektorëve më delikatë të shërbimeve publike në Kosovë.

Për transformimin e jashtëzakonshëm foli edhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu. Ai tha se tani me kushtet e reja dhe kapacitetin e ambulancave të reja specialistike, qytetarët e Kosovës do të mundë të marrin shërbime dinjitoze.

Në objektin e ri tani janë transferuar ambulancat specialistike, të cilat më parë kanë funksionuar në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe nëpër bodrume të QKUK-së: Ortopedia, Fiziatria, Reumatologjia, Endokrinologjia, Kardiologjia, Kardiokirurgjia, Urologjia, Neurokirurgjia, Kirurgjia e Fëmijëve, Kirurgjia Vaskulare, Kirurgjia Torakale, Kirurgjia Abdominale, Kirurgjia Plastike etj.

Komunikata është marrë nga Ministria e Shëndetësisë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë