Shkruan: Dr. Meritë Rrahmani
Për ty që viti që po mbyllet të ka vënë përballë sfidash të vështira, qoftë me shëndetin tënd, qoftë me shëndetin e njerëzve të tu më të dashur.
Gjatë punës sime me pacientë, kam takuar njerëz të moshave dhe diagnozave të ndryshme, por mbi të gjitha prindër që prisnin me ankth një lajm shprese për fëmijët e tyre. Nuk duhet shumë për të kuptuar, përmes gjuhës së trupit dhe shikimit të tyre, peshën e vuajtjes që mbartin, por edhe shpresën e pashuar se gjithçka do të përfundojë mirë.
Ndonjëherë, një buzëqeshje apo një fjalë e ngrohtë nga ana jonë, si profesionistë shëndetësorë, mund ta zbusë sadopak realitetin e rëndë të diagnozave që përcjellim. Por jo gjithmonë mbetemi vetëm në rolin e mjekut, sepse jeta nuk bën dallime. Ajo i sfidon të gjithë, pa përjashtim. Edhe ne kemi rastisur të ulemi në karrigen e pacientit, duke pritur përgjigje që jo gjithmonë janë ato që dëshirojmë. T
ë jesh mjek nuk të përjashton nga sfidat e jetës; përkundrazi, të ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Sepse, përpara se të veshim mantelin e bardhë, ne jemi fëmijë, motra, bashkëshorte, prindër, pjesë e jetës së dikujt tjetër. Dhe çdo dhimbje që prek ata, na prek edhe ne.
Prandaj, nga pozicioni im si mjeke, në këtë fundviti u uroj të gjithë atyre që po përballen me sëmundje të gjejnë shërim dhe forcë; prindërve që presin me ankth lajme për shëndetin e fëmijëve të tyre, u uroj qetësi, shpresë dhe përfundime sa më të mira.
Mbi të gjitha, uroj që viti 2026 të sjellë shëndet, lajme të mira dhe gëzime për secilin prej nesh. Mos harroni të doni dhe të kujdeseni për njerëzit tuaj më të afërt, t’u dhuroni kohë dhe dashuri familjarëve dhe, mbi të gjitha, të kujdeseni për shëndetin tuaj fizik dhe psikologjik. Sepse, në fund të çdo dite, vlera më e madhe është të biesh në gjumë i qetë dhe i shëndetshëm, e të zgjohesh me të njëjtën ndjenjë.
Gëzuar Vitin e Ri, me shëndet, paqe dhe lumturi për të gjithë ju! Dr. Meritë Rrahmani.












