Shpërndarja e numrit të telefonit të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti në një grup me rreth 70 mijë anëtarë në rrjetin “Discord” është denoncuar në Policinë e Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, i cili ka njoftuar se Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, së bashku me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe përfaqësuesin ligjor të AGK-së, avokatin Yll Zekaj, e kanë paraqitur rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

Në këtë njoftim, Rrjeti i Grave Gazetare ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë pranë Thaçi-Mehmetit dhe të gjitha gazetareve që përballen me dhunë dhe ngacmime online, duke i inkurajuar ato që të raportojnë çdo rast të tillë.
“Rrjeti i Grave Gazetare beson që institucionet përgjegjëse do të veprojnë me urgjencë për të hetuar rastin, për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit. Ky është rasti i tretë i ngacmimit online të natyrës së njëjtë që gazetarja Thaçi-Mehmeti ka përjetuar, në dy vitet e fundit.” është shprehur Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës.
Mbrëmjen e 12 marsit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se numri i telefonit i gazetares Thaçi-Mehmeti është shpërndarë ilegalisht në një grup në rrjetin “Discord”, që numëron rreth 70 mijë anëtarë.
AGK-ja e ka cilësuar këtë si një fushatë të re hakmarrëse ndaj Thaçi-Mehmetit për shkak të punës dhe raportimit të saj.
“Gazetarja ka marrë dhjetëra mesazhe me përmbajtje eksplicite seksuale, të enjten mbrëma nga anëtarët e këtij grupi. Kjo ndodhë pak muaj pasi që gazetarja Thaçi – Mehmeti raporti gjerësisht për grupin e ngjashëm në Telegram, të njohur si AlbKings, ku shpërndahen numra dhe të dhëna personale të grave me qëllim të denigrimit.” ka treguar AGK teksa u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të hetojnë administratorët e grupit dhe të punojnë në mbylljen e menjëhershme të tij.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), duke theksuar se ky akt përbën vazhdimësi të dhunës digjitale që gratë dhe vajzat po përjetojnë në hapësirat online, si dhe një formë frikësimi ndaj grave që janë aktive në jetën publike.
“Për shkak të angazhimit të saj publik, kjo është hera e dytë që të dhënat personale të gazetares Thaçi – Mehmeti shpërndahen në platforma të tilla. Për këtë arsye, ajo është duke marrë vazhdimisht mesazhe me përmbajtje seksualisht eksplicite dhe denigruese, të cilat synojnë ta poshtërojnë, ta frikësojnë dhe ta largojnë nga jeta publike.” ka thënë QIKA.
QIKA tutje i ka bërë thirrje Departamentit të Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që këtë rast ta trajtojnë me seriozitet dhe prioritet. Sipas tyre, institucionet duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për hetimin e rastit, identifikimin e administratorëve dhe mbylljen e përhershme të këtij grupi, si dhe të grupeve të ngjashme që janë krijuar për të shpërndarë të dhëna personale të vajzave dhe grave.











