Sot u zhvillua dita e parë e Konferencës Ndërkombëtare të Shkencave Mjekësore 2026, një ngjarje me rëndësi të veçantë për komunitetin shëndetësor në rajon dhe më gjerë.
Eventi ka mbledhur ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë nga Gjermania, Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Belgjika, Shqipëria dhe Kosova, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe odave profesionale shëndetësore.

Hapja zyrtare e konferencës u bë nga Sekretari, Prof. Dr. Basri Lenjani i cili theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes ekspertëve të shëndetit dhe praktikimi i këtyre njohurive dhe këshillave ne sektorin e shëndetësisë në Kosovë.
“Qëllimi është që Kosova të fitojë një bashkëpunim ndërdisiplinar” u shpreh Lenjani për FamiljaJonë teksa veçoi se ky event ndihmon që të arrihet shkëmbimi i përvojave profesionale nga perëndimi në Kosovë.
Gjatë fjalimeve, prezantimeve dhe paneleve të diskutimit, ekspertët e shëndetit shkëmbyen përvojat dhe informuan të pranishmit mbi zhvillimet më të fundit në mjekësi, infermieri, farmaci dhe fusha të tjera të kujdesit shëndetësor.

Moderimi i kësaj ngjarje u bë nga Saranda Bujupi Rama, Drejtoreshë Ekzekutive e produksionit FamiljaJonë. Bujupi Rama vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit profesional që kjo konferencë promovon, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e urave të komunikimit mes profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore.

Gjatë moderimit, ajo falënderoi mantelbardhët për përkushtimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, duke u shprehur se ata përbëjnë një shtyllë të pazëvendësueshme të shoqërisë sonë.

Një segment artistik që i dha një energji ndryshe këtij eventi ishte performanca “1555 – Meshari i Gjon Buzukut”, nga regjisori dhe pedagogu i teatrit pranë teatrit “Maralam” në Zyrih, Adem Kicaj.

Kjo konferencë është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, Oda e Stomatologëve të Kosovës, Oda e Infermierëve të Kosovës dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, duke u mundësuar pjesëmarrësve përfitimin e pikëve të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe duke kontribuar në avancimin e standardeve të kujdesit shëndetësor.
FamiljaJonë është sponsor medial i kësaj konference, e cila zgjat deri më 31 janar me pjesëmarrje fizike dhe online.













