Të jesh vetëm dhe të ndihesh i vetmuar nuk janë e njëjta gjë, dhe sipas studiuesve, ky dallim ka ndikim të madh në shëndet.
Edhe pse nga jashtë mund të duken të ngjashme, ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra se si individi i përjeton marrëdhëniet sociale, jo thjesht numri i tyre.
Një studim nga Universiteti Cornell i publikuar në “JAMA Network Open”, zbuloi se personat që ndiheshin më të vetmuar sesa do të sugjeronin rrethanat e tyre sociale kishin rrezik më të lartë për probleme shëndetësore. Kjo tregon se lidhjet sociale nuk mjaftojnë nëse ato nuk përjetohen si të kuptimshme dhe mbështetëse, shkruan Euronews Health.
Vetmia dhe izolimi social janë shqetësime në rritje për shëndetin publik, pasi ndikojnë si në shëndetin mendor ashtu edhe në atë fizik.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 16% e njerëzve në botë përjetojnë vetmi. Studimi analizoi mbi 7,800 persona mbi 50 vjeç dhe zbuloi se mospërputhja midis izolimit real dhe ndjenjës së vetmisë lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje dhe vdekje.
Personat që ndiheshin të vetmuar pavarësisht se nuk ishin të izoluar kishin rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të frymëmarrjes.
Ndërsa ata që ishin të izoluar por nuk ndiheshin të vetmuar kishin rrezik më të ulët.
Ekspertët theksojnë se trajtimi i vetmisë kërkon më shumë sesa zgjerimi i rrjetit social. Një zgjidhje e re është “përshkrimi social”, ku pacientët inkurajohen të marrin pjesë në aktivitete komunitare si ecje, vullnetarizëm apo kopshtari.
Kjo qasje synon të përmirësojë mirëqenien dhe të reduktojë presionin mbi sistemin shëndetësor.












