Ndërhyrje e ndërlikuar në QKUK, 21-vjeçarja me tumor në mëlçi i nënshtrohet hemihepatektomisë
Një ndërhyrje komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Bëhet fjalë për një paciente 21-vjeçare me tumor hepatik, e cila iu nënshtrua hemihepatektomisë së majtë, një ndërhyrje që konsiderohet ndër procedurat më komplekse në kirurgjinë abdominale.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrje të tilla kërkojnë ekspertizë të lartë kirurgjikale, planifikim të kujdesshëm paraoperativ, si dhe koordinim të ngushtë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë.
Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, i përbërë nga dr. Afrim Tahiri, dr. Fadil Beka, dr. Arsim Çerkinaj dhe dr. Rexhep Ajvazi.
Në ekipin e anestezionit ishte dr. Turkan Karabegler, ndërsa ekipit mbështetës instrumentar iu bashkuan Lulja Tasholli dhe Valentina Dervishi.
Pas përfundimit të trajtimit dhe monitorimit pasoperativ, pacientja është liruar në shtëpi në gjendje të stabilizuar dhe të mirë shëndetësore.
Nga QKUK është vlerësuar se ky intervenim dëshmon kapacitetet profesionale, ekspertizën dhe përvojën e stafit të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në trajtimin e rasteve komplekse dhe ofrimin e shërbimeve të avancuara kirurgjikale.












