Albina Selmanaj
Melanoma subunguale, një formë e rrallë dhe e rrezikshme e kancerit të lëkurës që shfaqet nën thua, shpesh ngatërrohet nga pacientët me infeksione ose mavijosje të zakonshme. Por dallimi mes tyre është jetik për diagnozën dhe trajtimin e hershëm.
Sipas dermatologes Dr. Shkëndije Dobruna, melanoma e thoit nuk shfaqet menjëherë dhe zakonisht fillon nga baza e thoit, duke u paraqitur si një njollë e errët, me ngjyrë dhe formë jo të rregullt. “Një ndër faktorët që mund të ndikojë në shfaqjen e saj është edhe ekspozimi ndaj rrezatimit UV, sidomos gjatë stilimit të thonjve në sallone estetike,” theksoi ajo për Familjajonë.
Në kontrast, hematoma ose mavijosja nën thua ndodh pas një goditjeje dhe ka një kohëzgjatje të shkurtër. Ajo zhvendoset gradualisht drejt majës së thoit ndërsa thoi rritet në mënyrë normale. “Ndërsa melanoma qëndron e fiksuar në bazën e thoit dhe nuk lëviz me kalimin e kohës”, tha Dr. Dobruna.
Por që sipas dermatologës, ekzaminimi dermatoskopik nga dermatologu është mënyra më e mirë për të bërë diferencimin ndërmjet melanomës dhe hematomës, por ndonjëherë mund të jetë e nevojshme edhe biopsia e thoit për një diagnozë të saktë./ Familjajonë