Bota shënon sot, më 2 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve, e cila synon të tërheqë vëmendjen te siguria e gazetarëve dhe mungesa e drejtësisë për viktimat e sulmeve ndaj tyre.
Shifrat e prezantuara me këtë rast tregojnë për përmasat shqetësuese të këtij fenomeni. Më shumë se 1.000 gazetarë janë vrarë gjatë 14 vjetëve të fundit për shkak të punës së tyre, ndërsa në nëntë nga dhjetë raste, autorët nuk janë vënë para drejtësisë.
Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, përmes Rezolutës A/RES/68/163, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën ndaj gazetarëve dhe për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
UNESCO thekson se mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve nuk rrezikon vetëm jetën dhe sigurinë e tyre, por cenon edhe të drejtën e publikut për informim. Kur sulmet ndaj gazetarëve mbeten pa u hetuar dhe pa u ndëshkuar, krijohet një klimë që favorizon fshehjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut, korrupsionit dhe krimit.
Përmes kësaj rezolute, OKB-ja u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të ndërmarrin hapa konkretë për parandalimin e sulmeve ndaj gazetarëve, hetimin e plotë të rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Po ashtu, theksohet nevoja që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje në drejtësi dhe mjete juridike efektive.
Data 2 nëntor është zgjedhur në kujtim të dy gazetarëve francezë, të vrarë në Mali më 2 nëntor 2013.
Kjo ditë rikthen në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar lirinë e medias, për të mbrojtur gazetarët dhe për të siguruar që asnjë krim i kryer ndaj tyre të mos mbetet pa ndëshkim.










