Hën, Shk 2, 2026
Banner Top
Banner Top
Më 31 janar u përmbyll Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Mjekësore 2026

Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Mjekësore 2026 e cila ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore multidisiplinare në fushën e shëndetësisë në Kosovë dhe rajon u përmbyll me sukses më 31 janar.

Kjo konferencë e cila këtë vit filloi me 30 janar është organizuar nga Qendra Inteligjente EVP.

Petrit Kelmendi nga Qendera Intelegjente për Edukim të Vazhdueshëm Profesional, në një prononcim për Familja Jonë u shpreh se dita e dytë e konferencës u karakterizua nga një program intensiv shkencor me sesione paralele, ku morën pjesë ligjërues dhe panelistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Gjermania, Norvegjia, Zvicra, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe vende të tjera evropiane.

Sipas Kelmendit, prania e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë krijoi një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim përvojash, praktikash bashkëkohore dhe forcim të bashkëpunimit profesional ndërkufitar.

Ai ka shpjeguar për Familja Jonë se gjatë konferencës u trajtuan çështje aktuale që lidhen me zhvillimet bashkëkohore në mjekësi, qasjet moderne diagnostikuese dhe terapeutike, si dhe sfidat me të cilat përballen profesionistët shëndetësorë në praktikën e përditshme.

“Diskutimet përfshinë përdorimin e teknologjisë në shëndetësi, menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe akute, mjekësinë parandaluese, shëndetin publik dhe rëndësinë e kujdesit multidisiplinar ndaj pacientit.” u shpreh Kelemendi.

Ai shtoi se ajo çka e bëri këtë ngjarje gjithëpërfshirëse dhe me vlerë të lartë profesionale ishte fakti që kjo konferencë përfshiu një gamë të gjerë fushash të mjekësisë, duke bashkuar profesionistë nga mjekësia interne, kirurgjia, stomatologjia, infermieria, farmacia, pediatria, neurologjia, onkologjia, mjekësia emergjente, shëndeti mendor dhe mjekësia familjare.

“Ndër arritjet kryesore të konferencës veçohen pjesëmarrja e gjerë e profesionistëve nga Kosova dhe jashtë saj, niveli i lartë shkencor i diskutimeve, shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë.” tha Kelmendi për Familja Jonë duke shtuar se kjo ngjarje shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe për avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Konferenca ICMS 2026 u përmbyll me vlerësime pozitive nga pjesëmarrësit dhe organizatorët, duke riafirmuar angazhimin për vazhdimin e kësaj platforme shkencore edhe në edicionet e ardhshme.” shoi ai.

Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Mjekësore 2026 është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, Oda e Stomatologëve të Kosovës, Oda e Infermierëve të Kosovës dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, duke u mundësuar pjesëmarrësve përfitimin e pikëve të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe duke kontribuar në avancimin e standardeve të kujdesit shëndetësor.

Familja Jonë është sponsor medial i kësaj konference.

Youtube

Arkiva

Kategoritë