Hën, Pri 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kujdesi i syve tek diabetikët – Intervistë me oftamologun dhe profesorin, Dr. Feim Mazreku

Krenare Hoti

Kujdesi për sytë është thelbësor për shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.

Për diabetikët, kujdesi për sytë është edhe më i rëndësishëm për shkak të rrezikut të lartë të komplikimeve të ndërlidhura me diabetin, si retinopatia diabetike, katarakta, dhe glaukoma.

Në lidhje me këtë, FamiljaJonë ka intervistuar oftamologun, njëkohesisht profesor i njohur, Feim Mazreku i cili ka treguar më shumë sa i përket kujdesit të shtuar që duhet treguar nga personat të cilët vuajnë nga diabeti.

Dr. Mazreku përmes përgjigjeve të tij ka shpjeguar më shumë rreth ndikimit të diabetit në kujdesin e syve dhe shumë detaje të tjera.

Por, për të kuptuar më shumë rreth këtij problemi shëndetësorë, lexoni intervistën e plotë më poshtë:

  1. Si ndikon diabeti në shëndetin e syve?

Diabeti është një sëmundje e cila ka marrë përmasa globale si më e shpeshtë. Diabeti është sëmundje në të cilën niveli i glykozës ose sheqerit është i lartë në gjak.

Me kalimin e kohës, sheqeri i lartë në gjak mund të shkakton komplikime në organe të ndryshme e posaqërisht në sy. Diabeti dëmton enët e gjakut dhe thjerrëzën në sy. Nëse këto dëmtime avancojnë atëherë mund të rrezikohet shikimi dhe të vjen edhe deri tek vërbimi i individit.

2. Cilat janë shenjat dhe simptomat e mundshme të dëmtimit të syve tek personat me diabet?

Realisht, deri sa nuk dëmtohet pjesa e syrit që quhet makule, pacientët edhe mund të mos dallojnë simptoma të shprehura, pra mund të kenë retinopati të shkallës së rëndë ndërsa të kenë ende pamje të mirë. Prandaj rekomandohet që së paku një herë në vit të bejnë vizita oftalmologjik.

Disa nga simptomat e mundshme mund të jenë: njolla dhe vargje të errëta që notojnë në shikimin tuaj, pamje e turbulluar, dyfishim të figurave, si dhe në disa raste skuqje dhe dhimbje e syrit e deri te humbja e të pamurit.

3. Cilat janë rregullat e zakonshme që diabetikët duhet të ndjekin për të ruajtur shëndetin e tyre të syve?

Diabetikët duhet të kenë nën kontrollë nivelin e sheqerit në gjak, presionin e gjakut, nivelin e lipideve të serumit, nivelin e marrjes së kalorive, nivelin e aktivitetit fizik, e kështu me rradhë.

4. Cilat janë rreziqet e larta të dëmtimit të syve tek personat me diabet?

Dëmtimet kryesore tek diabeti quhen Retinopati diabetike. Ky dëmtim në sy vlerësohet të jetë shkaku më i shpeshtë i vërbimit dhe rreth 60% e diabetikëve mund të kenë retinopati diabetike nga mosha 20-75 vjecare.

Ndryshimet të cilat mund të paraqiten në retinë janë mikroaneurizmat (zgjatjet në formë qeske të murit të kapilarëve), gjakderdhjet sipërfaqësore ose të thella, eksudatet e forta dhe të buta, neovaskularizimet, proliferimet fibrovaskulare, etj.

Varësisht nga paraqitja e tyre, retinopatia diabetike ndahet në joproliferative dhe proliferative (ekzistojnë nënklasifikime).

Parashikuesi më i mirë i retinopatisë diabetike është kohëzgjatja e sëmundjes.

Te diabetikët me kohëzgjatje mbi 5 vjet, prevalenca e retinopatisë diabetike është 10%;

Te diabetikët me kohëzgjatje mbi 10 vjet, prevalenca e retinopatisë diabetike është 30%;

Te diabetikët me kohëzgjatje mbi 15 vjet, prevalenca e retinopatisë diabetike është 45%;

Te diabetikët me kohëzgjatje mbi 20 vjet, prevalenca e retinopatisë diabetike është 70%.

Mosha është një tjetër faktor i rëndësishëm rreziku në përhapjen e retinopatisë diabetike. 

Dëmtim tjeter është edhe Edema Makulare Diabetike (EMD). Kjo zakonisht paraqitet tek pacientët që vec kanë Retinopati diabetike.

Gjithashtu, komplikim tjetër është edhe rritja e tensioni intraokular (Glaucoma) dhe turbullimi i thjerrëzes (Cataracta).

5. Cilat janë disa nga metodat inovative që po zhvillohen për të trajtuar dëmtimin e syve tek personat me diabet?

Trajtimi i komplikimeve në sy bëhet me Laserfotokoagulim, injektime të disa substancave intravitreale si dhe me kirurgji (Pars Plana Vitrektomi).

Me LFK arrijmë të bëjmë kauterizimin e enëve të dobësuara të gjakut të cilat kanë mundësinë të gjakderdhin. Gjithashtu parandalon krijimin e eneve të reja të gjakut (neovaskularizimit) si dhe shkolitjes së retinës. LFK-ja është një procedurë e shpejtë, pa dhimbje, kryhet për pak minuta dhe mund të përsëritet shumë herë.

Përafërsisht tek 70% të sëmurëve që e bëjnë LFK-në vjen gjerë te stabilizimi i pamjes, ndërsa në 15% të rasteve pamja edhe mund të përmirësohet. Rekomandohet që para LFK-së të bëhen ekzaminime të syrit e sidomos të bëhet Fluoroscein angiografia (FAG) me anë të së cilës fotografohet retina dhe bëhet vizualizimi i enëve të gjakut.

Trajtim me i ri tani është edhe injektimi intravitreal i disa substancave si kortikosteroidet dhe anti-VEGF (Avastin,Lucentis) të cilat kanë dhënë rezultate të mira në largimin e enëve të reja të gjakut (neovazave).

Ndërsa, te rastet me gjakderdhje në trup qelqor dhe shkolitje të retinës, duhet të bëhet kirurgji vitroretinale.

6. Si mund të parandalohet dëmtimi i syve tek personat me diabet?

Të gjitha këto që i përmendem më lartë ndikojnë në parandalimin e verbimit. Por, këto trajtime nuk janë kura dhe si rezultat problemet e syve edhe mund të kthehen.

Kjo është arsyeja pse mbrojtja juaj më e mirë kundër humbjes së rëndë të shikimit është të keni nën kontroll diabetin dhe të bëni ekzaminime të rregullta të syve.  

Rekomandohet të bëhen kontrolla të rregullta te Endokrinologu dhe së paku një herë në vit tek Oftalmologu.

Youtube

Arkiva

Kategoritë