Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve të raportuara si vetëvrasje në Kosovë, duke theksuar mungesën e masave parandaluese nga institucionet.
Sipas KMDLNJ-së, deri më sot nuk është bërë asnjë hulumtim serioz dhe profesional për shkaqet që çojnë drejt këtij fenomeni, mbi bazën e të cilit do të mund të ndërtohej një strategji parandaluese.
“Kosova, si vend që ka dalë nga lufta, është dashur të merret më herët me këtë çështje, në mënyrë që të shkurtohej periudha postraumatikë, dukuri normale pas përfundimit të luftërave. Çuditërisht, 26 vjet pas përfundimit të luftës ka më shumë raste vetëvrasjesh sesa në vitet e para pas saj”, thuhet në reagim, transmeton Gazeta Shneta.
KMDLNJ ka përmendur disa faktorë që sipas tij ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të vetëvrasjeve: situata e rëndë ekonomike, papunësia, mungesa e trajtimit për personat me prirje për vetëvrasje, mungesa e solidaritetit shoqëror, përkrahja e pamjaftueshme nga institucionet shtetërore, humbja e shpresës, kostot e papërballueshme për bizneset si dhe presioni i vazhdueshëm nga rreziku i luftës.
Sipas KMDLNJ-së, kjo dukuri është më e theksuar tek grupet e margjinalizuara, si pensionistët dhe veteranët e luftës, ndërsa në një masë më të vogël prek edhe biznesmenët që nuk kanë përkrahje apo mbrojtje ligjore.
Organizata shpreh shqetësim se institucionet e mandatuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk po e trajtojnë seriozisht këtë problem.
“Kjo situatë rrezikon të drejtën themelore të njeriut – të drejtën për jetë – mbi të cilën ndërtohen të gjitha të drejtat e tjera, e garantuar nga dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut”, thekson KMDLNJ.













