Ndryshimet hormonale gjatë dhe pas menopauzës nuk ndikojnë vetëm në shëndetin e përgjithshëm të grave, por mund të shoqërohen edhe me ndryshime në shëndetin e syve.
Klinika Gjermane e Syrit ka shpjeguar se rënia e niveleve të estrogjenit dhe androgjenit gjatë kësaj periudhe mund të ndikojë në funksionimin dhe shëndetin e syve, duke shkaktuar shqetësime që mund të shfaqen edhe në mungesë të problemeve të mëparshme me shikimin.
Sipas Klinikës, gjatë menopauzës mund të shfaqen më shpesh thatësia dhe irritimi i syve, ndryshime në sipërfaqen e syrit dhe shqetësime në shikim.
“Ndryshimet hormonale mund të ndikojnë gjithashtu në presionin e syrit dhe lidhen me një rrezik më të lartë për disa probleme të syve, përfshirë glaukomën”, bën të ditur Klinika Gjermane e Syrit.
Për këtë arsye, Klinika thekson rëndësinë e kontrolleve të rregullta te okulisti gjatë dhe pas menopauzës. Kontrollet, sipas Klinikës, janë të rëndësishme edhe në rastet kur nuk ka shqetësime të dukshme me shikimin, pasi një vlerësim i rregullt mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të ndryshimeve në shëndetin e syve.













